Muhaxheri: Në rajonin e Pejës nuk do të ketë hidrocentrale

Në vitin 2013 kompania “Kelkos Energy”, kishte nënshkruar një marrëveshje me Komunën e Pejës për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Rugovë.

Por, ky projekt nuk u realizua asnjëherë, pasi që hasi në kundërshti të banorëve të kësaj ane, por edhe të partive politike në këtë komunë.

Në shkurt të këtij viti kryeministri mori vendim për të ndërprerë procedurat deri në krijimin pasqyrës së qartë se cili mund të jetë ndikimi në mjedis i ndërtimit të këtij hidrocentrali.

Mirëpo, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri në një prononcim për EkonomiaOnline ka bërë të ditur se tashmë kanë vendosur përfundimisht kundër ndërtimit të hidrocentraleve në këtë rajon.

Ai thotë se dy planet zhvillimore komunale, ai i vjetri dhe tashmë i riu, nuk parashohin që në rrjedhat e lumenjve të këtij qyteti të ketë hidrocentrale.

“Jo nuk ka asnjë mundësi me u ndërtuar hidrocentralet. Plani zhvillimor komunal edhe të vjetrin dhe të riun Komuna e Pejës nuk lejon ndërtimin hidrocentraleve në territorin e vet, kështu që kjo punë për komunën e Pejës dhe për banorët e saj ka përfunduar”, tha ai.

Sipas Muhaxherit, ky vendim ka ardhur, pasi që ndërtimi i tyre do të shkatërronte mjedisit dhe do të eliminonte lumenjtë që janë bukuri e kësaj ane.

“Është dëmtimi i madh që i ka bërë mjedisit sidomos Lumbardhit të Deçanit, vetëdijesimi i qytetarëve për natyrën është rritur dhe kjo është besoj një shenjë e mirë që shoqëria kosovare po ec përpara. Do të ketë përpjekje të njerëzve që dëshirojnë me përfituar para pa mund, me i realizuar këso projekte, po në komunën e Pejës nuk kalon”, thotë ai.

Sa i përket problemeve qe përballet kjo komunë, kryetari i Pejës ka thënë se ka mungesë të operatorëve të përgjegjshëm ekonomikë për shumicën e projekteve që i ka Komuna e Pejës në realizim.

“Po problemet janë të përditshme, më to ballafaqohemi kur të jemi në teren me to, ka mungesë të operatorëve të përgjegjshëm ekonomik për shumësin e projekteve që i ka komuna e Pejës në realizim, mbikëqyrja që është e mangët, jo për shkak të mundësisë që i kanë njerëzit, por për shkak se kemi pak staf për me i mbikëqyrë mbi 100 projekte dhe atëherë është pak më telashe”, thotë ai.

“Mbikëqyrja realizohet por është sfidë e madhe për 8 njerëz me i mbi këqyr 100 projekte edhe pse e kanë kryetarin inxhinier është sfidë e jashtëzakonshme për shkak se edhe buxheti është miratuar me vonesë dhe procedurat e prokurimit dhe tenderimit kanë qenë të stërzgjatura dhe punët kanë filluar një muaj më parë dhe tash duhet me përfunduar 5 muaj qe janë në vijim”, thotë ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme