Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, ka folur për media pas zjarreve që kanë përfshirë zonën pyjore të Bodes, ku vatrat e zjarreve janë rritur intensivisht pasi janë favorizuar nga era e fortë dhe temperatura të larta.
Sipas kreut të bashkisë, mund të jenë djegur deri në 100 hektarë sipërfaqe toke, teksa shton se forcat zjarrfikëse nuk mund të ndërhyjnë në shuarjen e tyre momentalisht përveçse në shmangien e përhapjes së tyre.
Topçiu shprehet se nuk mund të cilësojë paraprakisht nëse flakët janë aksidentale apo të qëllimshme. Po kështu sipas tij, disa ditë më parë, ka rënë shi, e pretendohet se mund të ketë pasur shkëndijë rrufeje që mund të ketë shkaktuar zjarrin.
Kryebashkiaku gjithashtu shprehet se në rast se nuk mund të izolohen zjarret, mund të kërkohen ndërhyrje nga ajri
Gëzim Topçiu: Nuk mund të japim një sipërfaqe të saktë. Mund të jenë 50, 60 deri në 100 ha pyll, shkurre, zonë e dëmtuar.
Të shpresojmë që të minimizohet sa më shumë dhe me ndërhyrjen e forcave të shumta që janë nga gjithë qarku i Korçës, është ushtria, policia Shërbimi Zjarrfikës, që dua t’i falenderoj.
Edhe pse flakët e zjarrit janë shumë të mëdha nuk mund të ndërhyjmë dot, vetëm t’i kufizojmë në zona të veçanta. Po presim që të ulet edhe intensiteti i erës që e përhap në zona të ndryshme. Jemi këtu të gjithë shpresojmë ta izolojnë edhe pse në çdo rast mund të kemi nevojë për ndërhyrje nga ajri. Nuk mund ta them nëse është zjarr vënie e qëllimshme, mund të jetë edhe aksidentale.
Nga banorë dhe ata që janë në këtë zonë pretendohet që para 4-5 ditësh kur ka rënë shi, mund të ketë pasur edhe një shkëndijë rrufeje e cila mund ta ketë shkaktuar zjarrin që mund të ketë marrë në trungjet e pishave të vjetra dhe nuk i është dhënë rëndësia e duhur.
Para 4-5 ditësh kanë ndërhyrë forcat tona zjarrfikëse, e kanë eliminuar e kanë mbajtur nën kontroll, dita e sotme është për të ardhur keq e cila na ka vënë para faktit të kryer në një situatë shumë të vështirë.