Zvarritja e formimit të institucioneve po i shkakton dëme të mëdha vendit. Kosova humbi 15 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ngase marrëveshja për kredi, e paraparë të nënshkruhet në qershor, dështoi për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.
Përfaqësuesi rezident i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen, në një përgjigje me shkrim për Kohavisionin, ka thënë se kredia e planifikuar për Kosovën skadoi, pasi që ishte kohë zgjedhjesh dhe vendi ishte pa Qeveri, raporton KTV.
Në anën tjetër, kryeshefi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se dështimi i kësaj marrëveshjeje do të pengojë realizimin e shumë projekteve të parapara me këtë kredi.
gjatë ditës provoi të kontaktojë edhe me Ministrinë e Financave, por zyrtarët në këtë dikaster nuk u prononcuan.
Kosova kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2015. Vlera e saj ishte rreth 185 milionë euro, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, e cila skadoi 4 gushtin e këtij viti. Ndërsa, Kosova që nga 2009-a është pjesë e këtij fondi.