Policia e Kosovës sot po shënon 17 vjetorin e themelimit. Për nder të këtij përvjetori në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë po mbahet një ceremoni zyrtare ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zyrtarë të lartë të Policisë.
Me këtë rast kryeministri tha se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë.
“Ne mburremi me ju dhe do ta keni një përkrahje të vazhdueshme. E di që s’e keni pas lehtë sepse kohët e fundit jeni përballë me sfida ku e keni mbrojtur vendin dhe popullin e Kosovës por këto i keni bërë me profesionalizëm dhe mbi bazën e Kushtetutës”, tha Mustafa.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se sot kanë shumë arsye për të qenë krenarë sepse Kosova ka policë me integritet dhe të përkushtuar për shtetin, raporton KP.
“…për atdheun e vet nuk mungon vullneti për t’u përballur edhe me sfidat më makabre në një shtet demokratik. Ju keni dëshmuar që jeni mbrojtës të ligjeve”, tha ministri Hyseni.
Ndërsa drejtori i Policisë Shpend Maxhuni tha se entuziazmi i treguar i djemve dhe vajzave kanë bërë që të krijohen themele të forta të Policisë së Kosovës para 17 viteve.
“Ishim me fat që kemi profesionistë ndërkombëtarë që na ndihmuan në konsolidimin e Policisë. Sukseset e Policisë krahasohen me suksese të Policive të vendeve shumë të zhvilluara botërore”, tha Maxhuni.
Për nder të 17 vjetorit të themelimit të Policisë u ndanë medalje për policët e dalluar