Mustafa e pranon: Aktualisht nuk i kemi votat për ratifikimin e Demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pranuar se aktualisht koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Këto komente, Mustafa i bëri pas pjesëmarrjes në konferencën ‘CiviKos’, ku ka folur rreth bashkëpunimit të qeverisë dhe shoqërisë civile.

“Unë nuk kam hequr dorë. Po bëj përpjekje dhe kërkoj që të gjithë të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje për Demarkacionin, sepse është humbje shumë e madhe për Kosovën”, ka thënë ai.

Me këtë rast, Mustafa iu është adresuar deputetëve të shumicës që të ulen dhe të mendojnë edhe njëherë para se të kundërshtojnë Demarkacionin.

“Do ta lusja opozitën dhe deputetët që kanë bërë vërejtje që të gjejmë forcën dhe argumentin për Demarkacionin sepse flitet për interesa të Kosovës dhe jo interesa personale apo partiake”, ka deklaruar Mustafa.

Por, në rrethanat aktuale, ai ka pranuar se koalicioni nuk i ka votat për ratifikimin e marrëveshjes më Malin e Zi.

“Nuk shoh arsye që tash të procedojmë ligjin në Kuvend pa i siguruar votat, kur e dimë që ka kundërshtime si dhe me faktin që Lista Serbe është jashtë Kuvendit dhe deklarimi i tyre se nuk do ta votojnë, andaj ne duhet të mobilizohemi dhe të gjejmë arsyen për t’i siguruar votat”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, qeveria nuk është tërhequr nga marrëveshja dhe ka shprehur besimin se Demarkacioni do të ri-procedohet në Kuvend deri në fund të vitit.

Koalicioni qeverisës po bojkotohet aktualisht nga Lista Serbe, me çka është vështirësuar edhe më shumë marrja e vendimeve, siç është rasti me Demarkacionin, i cili duhet të ratifikohet me 80 vota të deputetëve.

Marrëveshja për Demarkacionin po kundërshtohet nga opozita si dhe një grup i deputetëve nga partitë në pushtet. Ratifikimi i kësaj marrëveshje, mbetet kushti themelor që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

Gjatë debatit, Mustafa ka theksuar se do të preferonte që përfaqësuesit e shoqërisë civile të inkuadrohen në bisedimet e Kosovës me Serbinë.

“Kemi çështjen e dialogut me Serbinë, që ne konsiderojmë se është mirë që të kemi një kyçje më të madhe të shoqërisë civile, sepse është një përgjegjësi e cila nuk mund të lidhet vetëm me partitë në pushtet ose qeverinë ose institucionet qeveritare, por ndërlidhet edhe me pozitën edhe me opozitën dhe veçmas me shoqërinë civile”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu, ai ka kërkuar një rol më aktiv të shoqërisë civile edhe në çështjet e integrimeve evropiane.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e cila në vete ngërthen një hapësirë tepër të rëndësishme të shoqërisë civile”, ka theksuar kryeministri.

Po ashtu, Mustafa ka kërkuar rol aktiv të shoqërisë civile edhe në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. (REL)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme