Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar të gabuar vendimin e qeverisë së Ramush Haradinajt për faljen e borxheve për shfrytëzuesit e ujit për qëllime biznesi.
Mustafa ka thënë gjatë një interviste në Radio Televizionin e Kosovës se falja e borxheve te ujit nga Qeveria është joligjore.
“Dëshiroj që ta kemi një qeveri që zbaton dhe respekton ligjin”, është shprehur Mustafa.
“Kemi disa vendime të kësaj qeverie, që janë vendime joligjore… si vendimi për falje të borxheve të ambalazhuesve të ujit”, ka deklaruar paraardhësi i Haradinajt.
“S’ka të drejtë Qeveria me asnjë ligj që vetë t’i çojë gishtat dhe të thotë se i fala 60 milionë euro borxhe të ambalazhuesve të ujit”, ka thënë Mustafa.
Ai ka cilësuar joligjor edhe “vendimin për shkarkimin e bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit”.