Mustafa kujton Ismet Rracin, kryetarin e vrarë të LDK-së në Klinë

Në 18 vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit, kryetar i Degës së LDK-së dhe i Kuvendit të Komunës së Klinës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kujtuar veprën e tij.

Mustafa, në një deklaratë dërguar mediave, thotë se 18 vite më parë, Klina dhe e tërë Kosova humbi atdhetarin e çmuar dhe të respektuar, njëherësh kryetar i Degës së LDK-së në Klinë, Ismet Rracin.

“Ismet Rraci ishte shkrimtar me gjuhë të guximshme e të mprehtë që ngriti zërin kundër mizorëve të kohës së egër të viteve të ’90-ta. Ishte burrë i urtë, intelektual dhe mësues që qëndroi gjithnjë pranë nxënësve të tij dhe qytetarëve të Klinës duke përfshirë edhe periudhën e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e mbështeti pa asnjë rezervë”, tha Mustafa.

Ai kujtoi edhe fjalët e Presidentit Ibrahim Rugova, e cili e kishte dënuar vrasjen e Ismet Rracit, të cilën e kishte cilësuar si “drejtuar kundër lirisë, pavarësisë, paqes dhe demokracisë së Kosovës”.

“Ismet Rraci gjithnjë do të kujtohet nga Lidhja Demokratike dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës për trimërinë, kontributin dhe atdhedashurinë e pafund”, përfundoi Mustafa.

Ismet Rraci, ish-kryetar i Komunës së Klinës zgjedhur me votën e lirë demokratike, u vra në mëngjesin e hershëm të vitit 2001, ndërsa dorasi ende nuk është zbuluar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme