Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ka reaguar pas deklaratave të kandidatit për Kryeministër të koalicionit PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, i cili tha se me fillimin e punës së një komisioni të ri për Demarkacionin, procesi i liberalizimit të vizave s’do të zgjasë më shumë se tre muaj. Mustafa thotë se liberalizimi i vizave nuk bëhet me deklarata parazgjedhore.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa thotë se populli e di kush pengoi liberalizimin e vizave dhe mashtroi me themelimin e ushtrisë.
“Populli e di se kush e pengoi liberalizimin dhe kush e mashtroi me themelimin e ushtrisë. As njëra dhe as tjetra nuk bëhen me deklarata parazgjedhore e as me protagonizëm dhe sidomos nga ata që penguan”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Thotë se Kosovës i nevojitet një Qeveri me dyer të hapura në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kosovës i nevojitet një qeveri dhe qeverisje evropiane. Qeveri e cila i ka dyert e hapura në Evropë dhe SHBA, dhe nuk diktohet nga asnjë vend fqinj”, ka shkruar Mustafa.
Në një takim me qytetarë në Prizren i mbajtur pasditen e së dielës, Haradinaj tha se do tw krijohet Komision i ri për demarkacion dhe me fillimin e punës së tij procesi i liberalizimit të vizave nuk do të zgjasë më shumë se tre muaj.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen më 11 qershor.