Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, nuk ka qenë i gatshëm të përgjigjet nëse qeveria javën e ardhshme do ta procedojë në Kuvend ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, ashtu siç kanë kërkuar zyrtarë të SHBA-së.
Por kërkesa e ndërkombëtarëve nuk po e zmbraps opozitën nga qëndrimet e deritashme lidhur me këtë temë, raporton KTV.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se qëndrimi i LVV-së sa i përket demarkacionit, nuk ndryshon.
Ndërkohë, ambasadori francez në Kosovë tha se përgjigjja pse ky kusht për liberalizimin e vizave nuk është përmbushur, duhet të kërkohet nga deputetët e parlamentit të Kosovës dhe jo te BE-ja. Ai ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtete mike dhe kjo është një çështje që duhet zgjidhur.
Sipas tij, nuk duhet të ketë vështirësi për demarkimin e një kufiri me një shtet mik.