Mustafa: Nuk tregohet trimëri për pronat që nuk janë tonat

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ripërsëritur qëndrimin e tij, se me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova nuk humbë asnjë hektarë toke. Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media, në të cilën tha se e rëndësishme është që të realizohet një proces transparent i përmbylljes së vijës kufitare me Malin e Zi.

Sipas Mustafës, në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit do të vendoset për kufirin me Malin e Zi.

“Me votimin e demarkacionit, do të vendoset edhe për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizim të vizave dhe do të vendoset se a i respektojmë vlerësimet e miqve tanë ndërkombëtar. Po ashtu vendoset për reflektimin dhe përkushtimit tonë, që hap dyer dhe për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura”. Tha Mustafa.

Ai ka thënë se Kosova ka 10 mijë e 906 km2, ashtu siç i ka pasur dhe sipas kushtetutës se 1974.

Sipas tij, kauza e opozitës se Kosova ka humbur territor, është e rrejshme dhe po përdoret për përfitime politike.

“Sikur opozita që sot po kundërshton pa asnjë argument, po të ishte në pushtet, do ta votonte me dy duar. Ata që kundërshtojnë këtë vijë kufitare, e bëjnë për ta mbështetur një kauzë të rrejshme. Është çështje e votës dhe mashtrimit të qytetarëve”, ka thënë Mustafa.

I pari i Qeverisë tha se manipulimi i këtij procesi për të shantazhuar dhe shpallur tradhtar, është i rrezikshëm për stabilitetin e vendit.

“Kërkoj nga organet e drejtësisë që të ndërmarrin hapa ndaj çdokujt që ka dëmtuar këtë proces dhe ndaj atyre që për interes politik po e dëmtojnë vendin. Qeveria nuk do te lejojë të tjetërsohet asnjë pëllëmbë tokë në këtë proces. Neve nuk na takon që të tregojmë trimëri për pronat që nuk janë tonat”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se Qeveria ka kryer punën e saj, ndërsa tani u mbetet deputetëve që të marrin vendimin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme