Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila, nëpërmjet një komunikate, ka shprehur dyshime se ai po frikësohet ta bëjë publik Raportin për matjen e territorit.
“AAK është e zhgënjyer me fshehjen e këtij raporti dhe i ka dyshimet e saj për motivet e kësaj fshehje!”, ka thënë AAK, nëpërmjet një komunikate.
Kryeministri ka thënë se i “vjen shumë mirë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po interesohet për Raportin e Komisionit të Ekspertëve për Matjen e Territorit të Kosovës”.
“Siç e dini, këtë raport e ka aprovuar Qeveria të premten e kaluar, më dt. 3 mars 2017. Si kryeministër dje (më 6 mars) e kam nënshkruar Vendimin për aprovimin e Raportit dhe ditën e djeshme është dashur që ky dokument të pasqyrohet në Web-faqen e Qeverisë, të fillojnë përgatitjet që t’i përcillet Kuvendit dhe Presidentit të vendit”, ka shkruar Mustafa, në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Pres që AAK, pasi ta lexoj këtë Raport, do të bindet (edhe pse e di) se Kosova nuk e humb asnjë metër territor, prandaj edhe do ta votojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi. Të njëjtën gjë mendoj se do ta bëjë edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën. Votohet për kufijtë ndërkombëtar të shtetit tonë”, ka shkruar Musafa më tej në rrjetin social.