Mustafa Serbisë: Ja si mund të hyjnë trenat në Kosovë

“Skenarët si ndërtimi i murit në veriun e Mitrovicës si dhe hyrja e trenit në veriun e Mitrovicës, janë skenarë të parealizueshme të Serisë”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

 

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë për të zbatuar plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka përsëritur ftesën për përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, në Qeveri dhe në Kuvend dhe të punojmë bashkërisht për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim.

Kryeministri tha gjithashtu se Qeveria është e përkushtuar për dialog dhe për të implementuar marrëveshjet nga dialogu.

Fjala e plotë e Kryeministrit Isa Mustafa:

“Dëshiroj, për shkak të situatës që jemi, të përçoj mesazhin e vendosmërisë së kësaj Qeverie për të zbatuar plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend.

Kohëve të fundit, ne të gjithë jemi dëshmitarë të intensifikimit të provokimeve nga Serbia. Prandaj, qytetarët e Kosovës dëshiroj t’i siguroj se Qeveria dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës janë në lartësinë e detyrës së tyre, janë të përgatitura dhe të koordinuara mes vete, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare për të mbrojtur stabilitetin e arritur dhe për të avancuar prosperitetin e Kosovës.

Unë dëshiroj që edhe njëherë të përsëris ftesën për serbët e Kosovës, që ata të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, në Qeveri dhe Kuvend dhe të punojmë bashkërisht për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim.

Dëshiroj poashtu të përsëris se Qeveria është e përkushtuar për të implementuar marrëveshjet nga dialogu, edhe marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne do të fillojmë me implementimin e saj në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me Marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në këtë proces. Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent, si për institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu edhe për opozitën dhe për shoqërinë civile.

Sot, i ftoj edhe njëherë ministrat serb të kthehen në Qeveri, por ata ministra, të cilët e respektojnë Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Poashtu, thërras pushtetin lokal të Komunës Veriore të Mitrovicës për zbatimin e ligjit rreth murit të ndërtuar pa leje. Muri i ngritur në mes të qytetit të Mitrovicës, nuk është e tashmja dhe e ardhmja e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Qeveria nuk është e interesuar të ndërhyjë në punët e pushtetit lokal, përderisa ky pushtet do të respektojë dhe do të  implemetnojë ligjin, por në rast të kundërt, Qeveria do të kërkojë nga organet përkatëse të marrin masa ligjore për të mos lejuar që askush të ngre mure për të ndarë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Dëshiroj po ashtu të ritheksoj qëndrimin për dialogun, se pa marrë parasysh vërejtjet dhe kushtëzimet për dialogun, konsideroj se dialogu është orientim strategjik dhe nuk ka alternativë, por duhet të sigurojmë që dialogu të jetë efektiv dhe sa më gjithëpërfshirës.

Qasja jonë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është në interes të sovranitetit dhe në është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në këtë kuadër e ftoj edhe Qeverinë e Serbisë, që të heq dorë nga gjuha kërcënuese, dhe këtë gjuhë ta zëvendësojë me gjuhën e dialogut dhe me gjuhën e bashkëpunimit.

Provokimet, si shtytja e serbëve kosovarë për t’u larguar nga integrimi në institucionet e Kosovës, muri i Mitrovicës, keqpërdorimi i institucioneve ndërkombëtare të sigurisë për të provokuar Kosovën dhe qytetarët e saj me fletarreste të paligjshme dhe të motivuara politikisht, provokimet si ai me trenin e pa licencuar dhe me elemente nxitëse të urrejtjes etnike, nuk janë sjellje të konstruktivitetit nga ane Serbisë. Prandaj Qeveria jonë është e bindur se skenarët e tij jo vetëm që janë të parealizueshme, por janë edhe anakronike, ashtu siç jemi të bindur se serbët kosovarë të ardhmen e tyre e kanë në Republikën e Kosovës dhe e kanë në institucione të Republikës së Kosovës.

Prandaj dua të konkludoj se qytetarët  e Kosovës nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura, Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe, trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Në menaxhimin e provokimit nga Serbia me trenin pa licencë dhe të ngarkuar me parulla provokuese, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, kanë vepruar mbi bazën e kompetencave kushtetuese.

Janë bashkërenditur me të gjitha institucionet relevante, me Presidentin e vendit, me Kryetarin e Parlamentit, me institucionet përkatëse, Policinë dhe ministritë tjera, me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, prandaj unë shfrytëzoj rastin që të përgëzoj të gjitha këto institucione, të përgëzoj edhe organet e sigurisë së Kosovës për një punë të kryer mbi bazën e ligjit dhe mbi bazën e Kushtetutës.

Dëshiroj po ashtu që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të falënderoj qytetarët për shkallën e lartë të përgjegjësisë qytetare, me të cilën kanë përballuar provokimet nga Serbia.

Unë i ftoj sot përfaqësuesit e partive politike të opozitës, qytetarët, mediat, shoqërinë civile, që të punojmë bashkërisht në projektin e avancimit të demokracisë së vendit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë, në ndërtimin e paqes, stabilitetit, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, dhe të evitojmë me çdo kusht provokimet qëllimkëqija.

Dëshiroj me çdo kusht të falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet e Bashkimit Evropian për të gjithë mbështetjen e tyre në ndërtimin e demokracisë së vendit, dhe në proceset integruese dhe euroatlantike.

Unë ju falënderoj edhe juve për punën dhe përkushtimin dhe po ashtu ju ftoj të punojmë që bashkërisht, të jemi të gjithë unik dhe të përmbushim detyrimet tona ligjore dhe detyrimet kushtetuese.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme