Mustafa: S’mora pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të çlirimit sepse s’pata ftesë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar se s’ka qenë i pranishëm dje në ceremoninë e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës e ndërhyrjes së trupave të NATO-s.

“Po shoh se është bërë temë mospjesëmarrja ime në ceremoninë e shënimit të njëzetvjetorit të çlirimit të vendit. Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër. Nuk mund ta di se si ka vepruar Protokolli i Shtetit, a më ka pasur në listë apo jo, si kryetar të LDK-së, shef të opozitës, partisë më të madhe opozitare sot dhe partisë shtetëformuese gjatë tridhjetë viteve sa ekziston ajo, apo si Kryeministër i qeverisë së kaluar”, ka shkruar Mustafa.

Zyra e Presidentit, sot gjatë ditës, kishte njoftuar se me ftesat është marrë Protokolli i Shtetit, i cili ka konfirmuar se kanë qenë të ftuar edhe Mustafa e Kurti.

Drejtori i Protokollit të Shtetit në MPJ, Orhan Hajrizi, ka konfirmuar për KP se Isa Mustafa dhe Albin Kurti kanë pasur ftesa zyrtare.

“Po, Protokolli i Shtetit është marrë me tërë organizimin dhe njëkohësisht edhe me ftesat. Me këtë rast e konfirmoj se ftesat janë përgatitur dhe janë dërguar edhe për z. Isa Mustafa në cilësinë e ish-kryeministrit, të cilën korrieri e ka dërguar në selinë e LDK-së dhe ftesa për z. Kurti është dërguar në Kuvend dhe përmes postës së brendshme të Kuvendit, ftesa i është përcjellë në kutinë postare të Lëvizjes Vetëvendosje më 7 qershor”, ka thënë Hajrizi.

Ndërkaq, Mustafa shkruan se në Selinë e LDK-së “më kanë informuar se kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Tjetër jo”.

“Nuk ka datë më të rëndësishme për çdonjërin nga ne se ajo e çlirimit të Kosovës. Prandaj pjesëmarrja ime ose e njërit nga nënkryetarët e LDK-së, për arsye të shkaqeve të mia shëndetësore, do të ishte e padiskutueshme. Çlirimi sikurse edhe pavarësia nuk janë pronë e askujt, janë e arritur, mburrje dhe pasuri e çdonjërit nga ne. Fundja, edhe pse nuk kisha ftesë të marr pjesë në këtë ceremoni, ndjehem krenar se ajo u mbajt në Sheshin Skënderbeu të qytetit tim, të cilin aq me përkushtim e ndërtuam sa unë dhe LDK drejtonim Prishtinën, dhe pran monumentit të Skënderbeut që, poashtu, e ngritëm pas çlirimit me para të mbledhura nga bashkatdhetarët tanë, kur ishim si qeveri në egzil e LDK-së. Dhe, se në këtë solemnitet ishin miqtë tanë, heronjë të çlirimit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk ka pasur ftesë nga institucionet e Kosovës që të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara për nder të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kurti ka thënë se këto ditë kanë marrë pjesë në organizime të Lëvizjes, dhe nuk ka pasur ftesë në kutinë e deputetëve, për të qenë prezent në ceremoninë qendrore të 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, përcjell ksp.

“Nuk e di që kam pasur ftesë në kutinë e deputetëve por kemi pas edhe shumë organizime si Lëvizje Vetëvendosje meqenëse është përputhur edhe me ditën e Lëvizjes. Grupi jonë parlamentar i ka ndarë deputetët nëpër aktivitete të ndryshme dhe ata kanë marrë pjesë”, tha Kurti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme