Mustafaj: Basha më telefonoi, i kërkova të dorëhiqet

Duket se dorëheqja e Lulzim Bashës nga kryesimi i Partisë Demokratike nuk do të ha shumë debat, pas humbjes katastrofike që pësoi e djathta në këto zgjedhje parlamentare. Post zgjedhjet do të zhvendosin plotësisht vëmendjen nga rezultati që prodhuan zgjedhjet, tek Partia Demokratike dhe paralajmërimet para zgjedhjeve për lëvizje kundër Lulzim Bashës nga garda e vjetër që u la jashtë listave. Pas numërimit të më shumë se gjysmës së kutive të votimit ish-eksponentë të rëndësishëm të PDsë kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës. Rezultati që mori PD-ja u konsiderua nga të gjithë si një disfatë e thellë dhe u theksua nevoja për ringritjen e PDsë pa Lulzim Bashën kryetar. Një prej të parëve që foli ishte themeluesi i PD-së, Besnik Mustafaj. Ai ka pasur një bisedë telefonike dhe i ka kërkuar Bashës të dorëhiqet, ende pa përfunduar procesi i plotë i numërimit.

“Basha më ka marrë që sot në telefon pasi lexoi shkrimin(që e kishte botuar paraprakisht), besoj se reagimi i tij ishte i drejtë. Shqetësimi i tij ishte që të mos demoralizonim komisionerët. Nuk bëmë debat. Nuk do tregoj bisedën. I drejtohem demokratëve që janë në komisione, si numërues apo vëzhgues, nuk duhet të dekurajohen. Besoj se kryesorja tani është që Basha të marrë vendimin që i takon”, tha Mustafaj. “Basha duhet të japë dorëheqjen, por le të rikandidojë. Përgjegjësia është personale, është një humbje e turpshme. Por, në garën e re të futet si i barabartë, jo me figurën e kryetarit”, është shprehur Mustafaj. Ai ka treguar edhe një bisedë me Berishën, të cilën e ka cilësuar si intime dhe ka thënë se PD-ja ka shumë figura që mund të kandidojnë për kryesimin.

“Berishës në këtë moment i jam drejtuar me shumë respekt. Sepse Berisha është një faktor i rëndësishëm që PD të futet në garë. Fëmijët tanë janë në moshën që kishim ne kur themeluam PD, ua kemi borxh fëmijëve tanë që PD-në ta lëmë të shëndetshme. Sot i jam drejtuar me një ton intim Berishës. Jam kthyer tek gjuha që kisha me të kur ishim bashkë”, ka thënë Mustafaj. Një tjetër demokrat që ka reaguar me jo pak shqetësim, ka qenë ish-ministri Genc Ruli, i cili kërkoi të mos ishte në listat e kandidatëve për deputetë. “Ky rezultat tregon një problem të madh që ndoshta sot për sot nuk mund ta kuptojmë. Zgjuarsia e vërtetë e një njeriu politik është që para se gjithash të kuptojë kthjellet kohën dhe tarikatin e vlerave që qytetaret vlerësojnë atë moment.

Në këtë kuptim që prej një viti i jam larguar politikës aktive duke kuptuar që disa politikanë dhe unë mes tyre skemi më lidhje me vlerat që preferon sot zgjedhësi. Por dhe as përshtatemi dot më me ato vlera. Mjerë ata që nuk e kanë kuptuar këtë. Por, mjerimin jua përcollën votuesve të PD, duke ju prodhuar këtë rezultat katrastofik”, reagoi Ruli. Një tjetër ish-demokrat që ka reaguar ka qenë Mark Marku. Reagimin e Mustafajt dhe kërkesën për dorëheqje të Bashës pa mbaruar numërimi, Marku e ka gjykuar të shpejtë. “Deklarata e Mustafajt e përshpejtuar. Një figurë e PD duhet të priste për rezultatin për analiza. Një njeri që është në formacion politik duhet të presë deri në momentin fundit për përmbysjen e rezultatit. Një figurë politike duhet të jetë i prirur nga interesi i partisë së vet. Numëruesit duhet të presin deri në fund dhe më pas t’i kërkohet llogari kryetarit. Ishte deklaratë e parakohshme si ata që kërkuan dorëheqjen e kryetarit të PD-së në mes të fushatës.

Pavarësisht se kanë apo s’kanë të drejtë tek gjykimi. Përmbajtja mund të jetë e saktë por koha e gabuar”, deklaroi Marku. Ndërsa demokrati i përjashtuar nga listat “Basha”, Eduard Selami është treguar i rezervuar në komente ose kritika ndaj kryetarit Basha. Ai e ka quajtur një moment i vështirë për PD-së zgjedhjet e së dielës për rezultatin e tyre humbës. “Një ditë e vështirë për PD. Kam besim të plotë se demokratët do të ringrihen”, ka reaguar shkurt ai. Ndërsa vetë kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar për mediat se do ta bëjë publike sot qëndrimin e tij në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, nëse do të pranojë rezultatin, si dhe do të japë dorëheqjen ose jo nga posti.

Kritikët nuk flasin

Deputetët e përjashtuar nga lista “Basha” në këto zgjedhje dhe që nisin një lëvizje për rrëzimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha para se PD të futej në fushatë, nuk kanë reaguar dje për rezultatin humbës që mori e djathta. Ish-kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami dhe Ridvan Bode nuk kanë ndarë asnjë koment me ndjekësit e tyre në rrjetet sociale dhe as në prononcime në media. Ky grup ka kërkuar shkarkimin e Bashës gjatë fushatës ndërsa po kërkonte votën për të nxjerrë PD-në forcë e parë. Ky grup deputetësh është angazhuar edhe në fushatë, por larg kamerave.

Gjatë ditës së sotme pritet që të ketë shumë reagime edhe nga grup i përjashtuar nga Basha nga listat. Nuk ka dyshim që ata do të përsërisin kërkesën për dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe hapjen e garës për një kryetar të ri. Në muajin korrik edhe vetë Lulzim Basha është shprehur se do të hap procesin e votimit për kreun e PD-së. Por duke u nisur nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk dihet nëse vetë Lulzim Basha do të kërkojë sërish të votohet sipas parimit një anëtar, një votë për kryesimin e Partisë Demokratike. Ndërkaq,nuk ka pasur reagim as nga lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme