Pasi nuk u arrit qëllimi që me transferimin e kompetencave për kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës të rritej niveli i kontrollit të këtij produkti, tash Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon të rikthejë sërish në kompetencë të vetën.
Në muajt e parë të 2018-s kjo ministri do të dërgojë në qeveri e pastaj në kuvend, ligjin me ndryshime, raporton KTV.
Në po të njëjtin muaj do të nisë edhe aksionin për mbylljen e pikave të karburantit, të cilat po funksionojnë pa asnjë leje e numri i të cilave është i madh.
Mirëpo, me këtë plan nuk po pajtohen drejtuesit e shoqatës së naftëtarëve.
Përpos që nuk janë konsultuar deri më tani për ndryshimet e ligjit, thonë se pa largimin e trupave inspektuese, nuk bëhet asnjë zgjidhje për këtë çështje.
Drejtuesit e njërit nga laboratorët e kontrollit të cilësisë së derivateve thotë se numri i mostrave që i sjell dogana nuk kalon më shumë se 10 dhe shpeshherë cilësia e tyre është e dobët.
Mirëpo, sipas tyre, nuk është vetëm ky problem në këtë sektor.
Derivatet e naftës janë produkti më i importuar në vendin tonë. Cilësia e këtij produkti vazhdon të mbetet e dyshimtë.
Madje për shkak të cilësisë së dobët të karburanteve në fillim të këtij viti, shumë automjete, një pjesë e mirë prodhim i viteve të fundit, u bllokuan duke pësuar dëme shumë të mëdha.