Ndale të keqen, thuaj JO BDI në Qeveri!

Autor: Xhevdet Pozhari

Reformat në media ishin një prej parakushteve të Marrëveshjes së Përzhinës. Kjo për faktin se shumë media u dorëzuan në mëshirën e fondeve të Qeverisë në Maqedoni që përzgjedhte mediat më të dëgjueshme për t’ua mundësuar ose jo ekzistencën. Derisa në taborrin maqedonas hesapet ishin të qarta dhe milionat i përfitonin “Llatasët”, në informimin shqip deri vonë në Maqedoni kishte monopolizim të tregut mediatik. Sa më pak media, aq më lehtë ishin për t’u kontrolluar nga pushteti. Edhe vetë nuk do ta besoja se terri informativ është aq i errët në Maqedoni, nëse për disa vite nuk do të kisha punuar dhe bashkëpunuar me mediume të ndryshme. Dhe është lehtësisht e vetkuptueshme se pse profesioni i gazetarit është ndër profesionet më të papëlqyera në Maqedoni. Mungesa e hapësirës për të raportuar paanshëm, objektivisht, raportimi në funkcion të axhendës qeveritare, kërcënimet dhe shantazhet nëse je i “padëgjueshëm”, gazetarët e mirëfillitë i largojnë nga ky profesion ndërsa servilët i fusin në garë se cili do të jetë më i suksesshëm për të qenë redaktor i propagandës shtetërore, e ndonjë prej tyre nëse është plotësisht pa kurriz mund të bëhet edhe kryetar komune apo funkcionar i lartë qeveritarë.

Sido që të jetë, në shtetin ku jetojnë më shumë se 30% shqiptarë dhe gjuha shqipe ende nuk është gjuhë zyrtare, informimi shqip ka mbetur në duar të “zhullanëve” të gazetarisë që kanë kontaminuar mjedisin dhe kanë rrënuar çdo standard gazetaresk. Jo rastësisht, me afrimin e zgjedhjeve ndodh skenari i pritshëm: servilët e pushtetit dhe ata që janë të kapur ngushtë nga koalicioni VMRO – DPMNE promovojnë investimet e vonuara të pushtetarëve që kontrollojnë me vite të tëra arkën e shtetit dhe mendimin e lirë, ndërsa sulmojnë pamëshirshëm të gjithë ata që megjithatë duan ta mbajnë gjallë frymën e opozitarizmit. Dhe sa më shumë që afrojnë zgjedhjet aq më glorifikues do të jenë titujt ku thuren elozhe për politikanë të dështuar e kriminalizuar, ndërsa edhe më të pamëshirshme sulmet ndaj atyre që duan një jetë ndryshe. Sulme këto që ndihmohen edhe nga kastravecë të infiltruar brenda opozitës të cilët angazhimin politik në kohë zgjedhjesh e kanë kuptuar vetëm si një mundësi të mirë për një vend pune dhe në shërbim të mjerimit politik dhe mediatik që mbretëron në Maqedoni. Por, kësaj radhe këta misionarë nuk do ta kenë të lehtë t’i mbulojnë gjurmët e degradimit dhe diskriminimit gjithandej ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni. Helmimi i Tetovës, rasti i Kumanovës, vrasja dhe mjerimi i ish luftëtarëve të UCK’së, 500 milionë eurot e shpenzuara për përmendoret e Gruevskit, aferat korruptive të përgjimeve, morali i degraduar skajshmërisht i përfaqësuesve të deritanishëm, punësimet e kushtëzuara, janë vetëm një tregues i saktë që gjithandej ku frymohet shqip në Maqedoni shpëtimi nga kjo e keqe vjen duke i thënë JO BDI – së në Qeveri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme