Autoritetet e Maqedonisë së Veriut bëjnë ping-pong qëndrimesh mes tyre, lidhur me ish ushtarin e UÇK-së nga Kosova, Tomor Morina të cilit iu caktua masë paraburgimi 30 ditore në Shkup. Nga Ministria e Brendshme thonë se ata nuk kanë asnjë rol, por nga ministria e Drejtësisë thonë se kanë njoftuar Ministrinë e Jashtme, dhe se nuk kanë marrë ende asnjë kërkesë zyrtare për ekstradim.
Për atë çështje duhet të sillet vendim nga gjykata kompetente, prokurori publik dhe nga Ministri i Drejtësisë. Ne veprojmë në bazë të flet-arrestit ndërkombëtar që është kërkuar nga Serbia. Për procedurën e mëtutjeshme unë pres që të mbarojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sillen vendimet e duhura nga organet kompetente. Ministria e Brendshme nuk ka rol në këtë”-tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Në pajtim me Konventën evropiane për ekstradim, Ministria e Drejtësisë në suaza të kompetencave të saja, për procedurat e ekstradimit e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut për privimin nga liria të shtetasve të huaj, me qëllim, njoftimin e përfaqësive konzulare të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlanda Veriore, shtetas i të cilave është personi në fjalë. Ministra e Drejtësisë nuk ka marrë kërkesë formale nga Serbia për ekstradim të këtij personi. Në rast të veprimit të mëtejshëm, Ministra e Drejtësisë do të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm për vendimmarrje në organet e drejtësisë”-thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Edhe në rast të kërkesës për ekstradim, autoritetet në Maqedoni mund të përdorin nenin tjetër të Ligjit për ekstradim, i cili thotë se nëse ekzistojnë dyshime që në shtetin ku kërkohet ekstradimi, gjykimi nuk do të jetë i drejtë apo mund të cenohet siguria e personit në fjalë, atëherë kërkesa për ekstradim mund të hidhet poshtë dhe personi të lirohet.
Neni 66, pika 3 e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë për materie penale.
“Ministri nuk do të lejojë ekstradimin e personit për të cilin është kërkuar ekstradim, nëse ekzistojnë arsye serioze të dyshimit se ai mund t’i nënshtrohet torturës dhe apo ndonjë lloji tjetër trajtimi mizor, çnjerëzor ose degradues, ose shqiptim i dënimit me vdekje”.
Avokati i Morinës, Naser Raufi thotë se sjellja e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut ndaj ish ushtarit të UÇK-së ka qenë korrekte dhe se ekstradimi i tij në Serbi është thuajse i pamundur.
Arsye kruciale se përse nuk mund të ndodhë ekstradimi është se gjykata e Serbisë nuk pritet që të jetë korrekte gjykim të Morinës, faktikisht flitet për ekstradim në një shtet ku të gjithë e dimë se si është disponimi i tyre ndaj shqiptarëve posaçërisht ndaj luftëtarëve të UÇK-së që kanë qenë pjesëmarrës”-tha Naser Raufi, avokat i Tomor Morinës i zgjedhur nga Gjykata Penale.
Edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se ekstradimi i Morinës në Serbi nuk do të lejohet në asnjë rrethanë.
Ne do të vazhdojmë të punojmë për lirimin e tij dhe t’i bëjmë thirrje Shkupit të veprojë si të gjitha vendet në Evropë që i kanë hedhur poshtë këto urdhra politik për arest të lëshuar nga Beogradi. Për një gjë jam i sigurt, që ne nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tanë bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën”-thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Morina përveç shtetësisë së Kosovës ka edhe shtetësi të Britanisë së Madhe e cila gjithashtu, sikurse autoritetet kosovare, ka shprehur interes për lirimin e tij. Morina, kohëve të fundit ka bërë lëvizje të shumta nëpër Evropë, nga shteti në shtet, por askund nuk ka hasur probleme me autoritetet e rendit përveçse në Maqedoni. Raste të ekzekutimeve të tilla të flet-arresteve nga ana e Serbisë patën çuar vite më parë edhe në ndalimin e Agim Çekut në Sofje, si dhe Ramush Haradinajt në Francë. Ndërkaq fat thuajse të njëjtë me Morinën ka edhe Gafur Dugolli i cili me të njëjtin pretekst u arrestua nga policia maqedonase për tu lëshuar më pas në liri.