Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka reaguar pas ndërhyrjes së forcave të policisë në ambientet e kompanisë mediatike Focus Media Group, duke e cilësuar ngjarjen si një akt shqetësues dhe të papranueshëm në një shtet demokratik.
Në deklaratën e shpërndarë në rrjetin social Facebook, ISP nënvizon se protesta e gazetarëve të kësaj mediaje meriton solidaritet institucional dhe shoqëror, ndërsa paralajmëron për pasojat që ky veprim mund të ketë mbi lirinë e medias në vend.
“Akti përbën një kërcënim dhe kufizim për lirinë e medias, si dhe vjen dukshëm ndesh me standardet e shtetit të së drejtës dhe angazhimet e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian,” – thuhet në reagimin e ISP-së.
Instituti i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që të veprojnë me transparencë, kulturë demokratike dhe vullnet të sinqertë për zbatimin e parimeve kushtetuese të lirisë së medias.
Në përfundim, ISP kërkon garantimin e plotë dhe të vazhdueshëm të veprimtarisë së gazetarëve dhe reporterëve, si një nga shtyllat themelore të një shteti të së drejtës dhe një shoqërie demokratike.



