Gazetare: Linda Ebibi
Fondi Shëndetësor kryen kontrolle në klinikat private dhe publike vetëm njëherë në vit. Nëse ka denoncime ka edhe kontrolle shtesë, thotë drejtori i Fondit Sasho Klekovski. Sipas tij Fondi nuk ka kompetenca për ndërhyrjet eventuale të panevojshme në klinikat private për përfitim financiar.
“Të gjitha institucionet më të mëdha shëndetësore kontrollohen një herë në vit, në kontrolle të rregullta. Ndërsa veprohet në bazë të ankesave, pra sa ankesa ka aq herë procesojmë…18:13 Në këtë periudhë ka pasur 9 ankesa për të cilat kemi kryer kontrolle në klinikat private, të gjitha këto ankesa janë për kardiologjinë vaskulare dhe janë për mjete të paguara privatisht”, tha Sasho Klekovski, drejtor në Fondin Shëndetësor.
Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë parregullsitë eventuale.
“Ministria e Shëndetësisë njofton se të gjithë qytetarët kanë mundësi të informojnë për parregullsi eventuale lidhur me ndërhyrje kardiologjike dhe kardiovaskulare, përmes platformës “Raportoni parregullsi”, në faqen zyrtare të MSH-së”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Pas informacioneve se në institucionet shëndetësore kryhen ndërhyrje kirurgjike të panevojshme për sëmundjet e zemrës, Ministria e Shëndetësisë ka formuar dy komisione, një të brendshëm dhe një të huaj.
Në vitin 2022 Fondi Shëndetësor ka mbuluar 9.281 ndërhyrje kardiologjike në klinika private dhe publike. Në vitin 2023, 9.822 ndërhyrje dhe në vitin 2024, 9.404 ndërhyrje.
Për këtë vit Fondi Shëndetësor ka ndarë mbi 2 milionë euro për të mbuluar operacionet e sëmundjeve të zemrës, ndërsa në katër vitet e kaluara buxheti i ndarë për këto ndërhyrje ishte rreth dy milionë euro. / Alsat.mk



