
Mbindërtimi në një kompleks banimi në Komunën e Çairit është ndërtim pa leje.
Inspektorët komunal kanë dalë në terren, por gjatë kontrollit nuk janë vërejtur punime ndërtimore. Punimet nuk do të lejohet të vazhdojnë tutje.
“Objekti në fjalë nuk posedon leje ndërtimi, as leje mbindërtimi. Gjatë kontrollit është konstatuar se nuk ka pasur punime ndërtimore, ndërsa investitori nuk ishte i pranishëm në lokacion. Do të merren të gjitha masat e parapara me ligj”, thonë Komuna e Çairit.
Objekti sipas regjistrit të Kadastrës rezulton në parcelën pronësore me numër 8980/2 në njësinë kadastrale të Komunës Qendër. Komuna e Çairit në territorin e të cilës graviton objekti në fjalë, thotë se për ndërtimet pa leje nuk ka moratorium për ndërtimet dhe pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe në fushatë zgjedhore.
“Në Komunë ne Çairit nuk është shpallur moratorium i përgjithshëm për ndërtim. Procedura e tillë është në vijim dhe pas përfundimit, qytetarët do të njoftohen në përputhje me ligjin”, thonë tutje nga Komuna e Çairit.
Në kuadër të Qytetit të Shkupit, Komuna e Çairit rezulton si të jetë komuna me më së paku ndërtime pa leje, gjithmonë duke iu referuar aspektit juridik. Por në shikim të parë vërehet qartë se në këtë komunë, ndër vite nuk kanë vlejtur parimet ndërtimore. Në qershor të vitit kaluar Prokuroria Publike hapi hetim për një ndërtim pa leje në Çair, por deri më sot nuk ka veprime konkrete ligjore. / Alsat.mk



