Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Në Poliklinikën e Çairit, çdo ditë paraqiten mbi 30 pacientë me simptoma të gripi për kontroll. Simptomat më të shpeshta përfshijnë temperaturë të lartë, bllokim të hundës dhe vështirësi në frymëmarrje, kollë të fortë dhe të zgjatur, si dhe lodhje të përgjithshme. Në shumë raste, gripi nuk prek vetëm rrugët e frymëmarrjes, por sjell edhe komplikime në hundë, sy dhe veshë.
“Përderisa tek dikush paraqiten komplikimet mund të vijnë deri në infeksion të veshit, sidomos tek fëmijët e vegjël, nga sekrecioni i hundëve shumë shpesh mund të vijë në komplikimet të veshit të mesëm si dhe në infeksion të sinuseve. Shumë pacient paraqiten me rinosinusit akut që kërkon terapi shtesë…Meqë gripi është virus antibiotikët nuk ndihmojnë në këtë rast”, tha Irina Mençevska Nastoska, otorinolaringolog.
Sipas mjekëve, periudha e dimrit gjithmonë karakterizohet me rritje të infeksioneve respiratore, ndaj edhe kjo situatë ka qenë e pritshme. Temperaturat e ulëta dhe qëndrimi më i shpeshtë në ambiente të mbyllura favorizojnë përhapjen e gripit dhe virozave, duke ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e numrit të kontrolleve mjekësore.
“Zakonisht zgjatë shtatë deri në dhjetë ditë, por nëse ndodhë ndonjë komplikim ose super infeksion, pa marrë parasysh sinusi, hunda apo veshët apo lëshohet në rrugët e poshtme të frymëmarrjes si bronkiti apo bronkopneumonia atëherë duhet edhe më shumë kohë”, tha Irina Mençevska Nastoska, otorinolaringolog.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, pasi piku i gripit pritet në fund të muajit sidmos tashmë që fëmijët nisën gjysmëvjetorin e dytë në shkolla. Ata theksojnë rëndësinë e respektimit të masave higjienike, si larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i shamisë gjatë kollitjes dhe teshtitjes, si dhe shmangia e kontakteve të panevojshme në rast të shfaqjes së simptomave, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksioneve./ Alsat.mk



