Ky është 80 vjeçari Xheladin Emini nga Struga, ndonëse i verbër asnjëherë nuk ka ndaluar së jetuari dhe krijuari. Në rininë e tij ka qenë mësimdhënës dhe më pas kapedan i klasës së parë në ushtrinë e Maqedonisë, e pikërisht ky vend i punës ia mori dritën e syve. Në vitin 1986, 35 vjet më parë, gjatë ushtrimeve me batalionin ushtarak pas shpërthimit të një granate, duke u munduar të shpëtojë njërin nga ushtarët, Xheladini humbi shikimin.
“Unë kam shkruar 15 libra dhe kam filluar me krijimtarinë time pasi më ndodhi fatkeqësia në manovrën ushtarake në vitin 1986, ku e humba dritën e syve shpëtova një ushtar, që të mos pësojë ai më keq se unë”.
Ai thotë se shtysë për të shkruar ka qenë një mik i tij, i cili është munduar ta largojë nga traumat e fatkeqësisë që i ka ndodhur.
Në fillimet e tij ai ka nisur të regjistrohet në diktafon, duke u ulur rreth liqenit të Ohrit ku ka gjetur motiv.
“Herën e parë fillova me këto diktafonët e vegjël aty i incizoja, duke qëndruar pran liqenit ose në shtëpi incizoja, njëkohësisht natën bija të flejë aty më rrinte meraku, i ktheja pas prej fillimi ato që i kam incizuar, ku nuk më pëlqente i fshija dhe e zëvendësoja me atë që mendoja se është më mirë, kontrollin e beja vetë pastaj vajzat e mija dhe dhëndurët i nxirrnin në kompjuter dhe kur kompletohej shkonte në botim”.
Njeriu i cili nuk u dorëzua asnjëherë ka një mesazh për të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Ai krijimtarinë e sheh si lehtësim, që i ka zbutur dhimbjen që mban brenda vetes.
“Mesazhi im do të jetë se ato nuk duhet të humbin besimin në vetvete por të kapen për punësh që atyre ju pëlqejnë më tepër në aspektin pozitiv…”.