Ndriçim Kulla: Ndërsa ky vend po digjet, Edi Rama shfaqet duke ndërtuar një skenë lobimi me Sorosin në Dhërmi

Nga Ndriçim Kulla

Zjarret e këtij gushti nuk mund të trajtohen më si episode të veçuara të një vere të nxehtë, sepse ajo që po shohim në Shqipëri ka filluar të marrë pamjen e një vazhdimësie të frikshme, ku flaka shfaqet në një vend, pastaj në një tjetër, afrohet te fshatrat, prek pyjet, kërcënon banesat, rrethon qytete dhe, ndërsa njerëzit përpiqen të shpëtojnë atë që kanë ndërtuar gjatë gjithë jetës, shteti duket sikur është duke kërkuar një shpjegim më shumë sesa një zgjidhje. Kjo është pamja më shqetësuese e kësaj vere, ku jo vetëm se po digjen sipërfaqe të tëra të territorit, por se përballë kësaj djegieje krijohet përshtypja e një vendi ku institucionet e kanë humbur gradualisht aftësinë për të reaguar dhe ku fatkeqësia, në vend që të prodhojë mobilizim shtetëror, prodhon justifikime, deklarata dhe një lloj qetësie artificiale që nuk përputhet aspak me ankthin e njerëzve që shohin flakët duke iu afruar shtëpive, tokave dhe kujtimeve të tyre.

Këtu nuk është fjala për të mohuar temperaturat e larta, thatësirën, ndryshimet klimatike apo faktin e njohur se zjarret mund të shkaktohen edhe nga pakujdesia, nga shkaqe natyrore apo nga veprime kriminale, sepse një shtet serioz nuk e ndërton politikën e tij të mbrojtjes civile duke kërkuar vetëm një fajtor të fundit, por duke marrë parasysh të gjithë zinxhirin e rreziqeve që mund të çojnë në një katastrofë. Problemi shqiptar sot është se çdo herë kur natyra bëhet më agresive, pushteti sillet sikur përgjegjësia e tij fillon dhe mbaron te fakti se natyra është e paparashikueshme, ndërsa harron se pikërisht përballë së paparashikueshmes është krijuar shteti. Nëse do të mjaftonte të thoshim se temperatura është e lartë, atëherë nuk do të kishim nevojë për administratë, për shërbime emergjence, për mjete zjarrfikëse, për plane evakuimi, për monitorim të territorit, për organizim të pushtetit vendor dhe qendror, për trajnime, për parandalim dhe për gjithë atë strukturë që qytetërimi modern ka ndërtuar pikërisht sepse e di se natyra nuk pyet për dëshirat e njerëzve.

Një kryeministër nuk është zgjedhur për të kontrolluar temperaturën e ajrit, siç po bën karagjozi ynë, dhe as për të ndaluar erën, por për të organizuar shtetin përballë tyre. Kjo është diferenca që humbet sa herë që kjo qeveri përpiqet ta paraqesë katastrofën si një fat të shkruar diku tjetër. Sepse zjarri mund të ndizet nga një njeri, por mënyra se si ai zjarr përhapet, mënyra se si zbulohet, koha që i duhet shtetit për të reaguar, mjetet që disponohen, gatishmëria e strukturave, evakuimi i popullsisë, mbrojtja e zonave të banuara dhe rikuperimi i territorit janë përgjegjësi njerëzore dhe institucionale. Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar përgjegjësia e qeverisjes.

Por çfarë ndodh kur qytetari shikon flakët që pushtojnë pyjet dhe ndërkohë sheh nga ekrani fotografi të kryeregjimtarit në takime, udhëtime dhe skena që duken të largëta nga ankthi i tij? Ndodh diçka shumë më e rëndë se mungesa e një reagimi politik. Është krijuar një ndarje e thellë psikologjike midis vendit dhe atij që e qeveris. Qytetari është në një Shqipëri, kryeministri duket sikur jeton në një Shqipëri tjetër. Njëri sheh tymin, tjetri sheh lobimet për pushtetin.

Kjo ndarje është bërë aq e thellë saqë tashmë nuk është më e nevojshme që pushteti të mohojë realitetin. Në një farë mënyre, kjo është më kafkiane se vetë mohimi. Në universin e Kafkës, njeriu përballet me një mekanizëm të madh që nuk e kupton, nuk e gjen dot përgjegjësin, nuk merr përgjigje dhe endet nga një zyrë në tjetrën, ndërsa realiteti i tij bëhet gjithnjë e më absurd. Shqipëria e sotme e ka krijuar një version të vetin të kësaj atmosfere: njerëzit shohin zjarrin, por përgjegjësia shkon diku tjetër; kërkojnë shtetin, por shteti shfaqet në deklarata; kërkojnë shpjegime, por marrin justifikime; kërkojnë ndërhyrje, por dëgjojnë për temperaturat, erërat, terrenin dhe fatin.

Prandaj pyetja për avionët zjarrfikës nuk është një pyetje për luksin, por për prioritetet. Një qeveri mund të diskutojë koston e çdo blerjeje dhe duhet ta bëjë këtë, sepse paratë janë të qytetarëve, por i njëjti standard duhet të përdoret për gjithçka. Nëse një mjet që mund të shpëtojë pyje, fshatra dhe jetë njerëzish konsiderohet shpenzim i tepërt, atëherë qytetari ka të drejtë të pyesë se cilat janë shpenzimet që konsiderohen të domosdoshme dhe pse. Mos vallë udhëtimet pa transparencë dhe shumë misterioze të kryeministrit?!

Kjo është edhe arsyeja pse kullat sot janë bërë simboli i një Shqipërie që po ndërtohet në një drejtim tjetër nga ai ku jeton shumica e shqiptarëve. Nuk është vetëm çështja e betonit, e arkitekturës apo e panoramës urbane. Është çështja e një vizioni të pushtetit për vendin. Në njërën anë kemi Shqipërinë e projekteve futuriste, kullave, ceremonive, konferencave, fotografive dhe imazhit ndërkombëtar, ndërsa në anën tjetër kemi Shqipërinë e fshatrave që zbrazen, të pyjeve që digjen, të rrugëve që mbeten të pambrojtura, të njerëzve që largohen dhe të familjeve që përballen me pasigurinë e përditshme. Këto dy Shqipëri po jetojnë gjithnjë e më shumë larg njëra-tjetrës.

Kur vendi digjet dhe kryeministri shfaqet duke ndërtuar një tjetër skenë komunikimi dhe relaksimi me frymëzuesin e ekstremit të majtë global në vilën e të gjithë taksapaguesve shqiptarë në Dhërmi, qytetari nuk e sheh më thjesht fotografinë. Ai sheh karshillëkun, distancën dhe talljen. Dhe kjo distancë është bërë një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë së sotme.

Kjo është realisht arsyeja pse zjarret e gushtit duhet të shihen edhe si një provë se ndezjen e vërtetë e kanë nga shteti shqiptar. Jo vetëm si provë e zjarrfikësve, e bashkive apo e shërbimeve të emergjencës, por si provë e vetë kuptimit që qeveria i jep detyrës së saj. Një shtet nuk matet vetëm kur inauguron një projekt. Matet kur një qytetar i trembur pret ndihmë. Nuk matet vetëm kur pret Sorosin, Ivankën apo Jaredin nga jashtë me temena. Matet kur një fshat brenda territorit të tij rrezikohet nga flakët. Nuk matet vetëm me kullat pa destinacion që ndërton. Matet me pyjet që arrin të mbrojë.

Nëse vazhdohet kështu, dëmi nuk do të jetë vetëm ai që shohim sot. Një pyll i djegur nuk rikthehet me një konferencë shtypi. Një ekosistem nuk rindërtohet me një postim në rrjetet sociale. Një fshat i braktisur nuk ringjallet me një slogan turistik. Një familje që humbet shtëpinë nuk kompensohet thjesht me një deklaratë solidariteti. Dëmi ekologjik, social dhe psikologjik mund të zgjasë për vite dhe, në disa raste, për breza. Nëse Shqipëria kthehet në një territor të fragmentuar midis zonave të betonizuara dhe zonave të djegura, atëherë do të kemi humbur aq shumë sa që nuk mund ta zëvendësojë asnjë projekt i madh.

Sepse Shqipëria nuk po digjet vetëm nga flakët. Po digjet edhe nga një tjetër zjarr, më i heshtur dhe më i vështirë për t’u shuar: zjarri i indiferencës së këtij pushteti ndaj asaj që ndodh përtej rrethit të vet. Flakët që shohim në pyje janë të dukshme dhe mund të filmohen. Flaka tjetër nuk duket. Ajo është brenda institucioneve, brenda mënyrës se si mendohet shteti, brenda bindjes se çdo problem mund të mbulohet me një shpjegim, një fotografi, një projekt të ri ose një histori të re. Dhe pikërisht kjo flakë po bëhet shumë më e rrezikshme, sepse mund të vazhdojë të djegë një vend edhe atëherë kur zjarret e pyjeve të jenë shuar.

The post Ndriçim Kulla: Ndërsa ky vend po digjet, Edi Rama shfaqet duke ndërtuar një skenë lobimi me Sorosin në Dhërmi appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme