Ndryshimet kushtetuese presin qeverinë në Sofje, Mickoski: S’kemi partner me të cilin të komunikojmë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Nuk ka garancë që problemi me ndryshimet kushtetuese do të zgjidhet në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së re, gjë që ka qenë një ndër paralajmërimet e koalicionit VLEN. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, duhet qeveri politike në Sofje, që palët të mund të ulen të bisedojnë. Mickoski thotë se është i interesuar për zgjidhje të shpejtë por se kjo është rrugë me dy kahje.

“Ne jemi për zgjidhje. Ne jemi për zhbllokim të procesit eurointegrues dhe punojmë me angazhim për këtë agjendë. Megjithatë në anën tjetër duhet të kemi partner me të cilin do të mund të komunikojmë. Në tetor janë caktuar zgjedhjet atje, deri atëherë ata kanë qeveri teknike. Pas asaj shpresoj se do të kenë qeveri politike dhe me atë qeveri politike të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ndërkohë kreu i Kuvendit Afrim Gashi thotë se Kuvendi do të marrë rol aktiv në çështjen e ndryshimeve kushtetuese por procedura s’mund të fillojë deri sa nuk ka marrëveshje.

“Ne po tentojmë si Kuvend të marrim një rol më aktiv. Parlamenti është vendi ku do të duhet të ndodhin edhe realisht ndryshimet kushtetuese por zgjidhja e problemit konsiston në atë që në këtë çështje do të duhet të përfshihen më shumë palë. Ka të bëjë me shtetin fqinj Bullgarinë, me Bashkimin Evropian dhe deri sa nuk ka një zgjidhje konkrete nuk mund ta fillojmë si procedurë. Politikisht punojmë që të ketë një zgjidhje të pranueshme dhe përfundimisht të fillojë procesi”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Zgjedhjet në Bullgari do të mbahen në fund të tetorit. Shteti fqinj prej kohësh është me qeveri të përkohshme dhe janë ndërruar disa përbërje, në mungesë të një qeveria politike me mbështetje më të gjerë. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme