Gazetare: Ajnur Baftijari
15 vatra zjarri janë raportuar sot në territorin e shtetit. Prej tyre 7 janë ende aktive, ndërsa të tjerat janë vënë nën kontroll.
Situata më kritike paraqitet në Komunën e Vasilevës ku zjarri ka filluar të zgjerohet edhe në territorin e Komunës së Radovishit dhe Berovës, ndërsa autoritetet po përpiqen nga toka dhe qielli, që ta vendosin nën kontroll.
“Zjarri në territorin e komunës së Vasilevës, gjatë ditës së djeshme, po zgjerohet edhe në territorin e komunës së Radovishit dhe Berovës. Në këtë zjarr janë angazhuar edhe 2 air traktorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, 1 helikopter i MPB-së që intervenoi që në orët e hershme të mëngjesit, 3 makina speciale të DMSH-së, si dhe 60 pjestarë të armatës, prej të cilëve 40 janë në territorin e Berovës, dhe 20 janë angazhuar në komunën e Radovishit”, tha Nadica Vçkova, Shtabi Qendror për Menaxhim me krizat.
Zjarr aktiv ka edhe në territorin e Komunës së Prilepit, atë të Demir Kapisë, ndërsa është riaktivizuar përsëri zjarri në Komunën e Zhelinës. Ndërsa zjarr të ri aktiv ka edhe në Komunën e Likovës.
“Zjarr të ri para pak kohësh kemi në territorin e komunës së Likovës, në fshatin Orizare. Në territorin e komunës Makedonski Brod ka 2 zjarre aktive”, u shpreh Nadica Vçkova, Shtabi Qendror për Menaxhim me krizat.
Të mërkurën përfundon afati për paraqitjen e zjarrfikësve, thirrje të cilën Qeveria e vazhdoi edhe për një javë me arsyetimin se ka interes të madh për përfshirjen e personave në ekipet zjarrfikëse. Sipas planit, 400 zjarrfikës të ri do të punësohen nëpër njësitë komunale në nivel shteti. Ndryshe termometri sot shënon temperatura të larta deri në 42 gradë celsius, ndërsa njësoj pritet të jetë edhe ditën e premte. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, pasi rritja e temperaturave rrit rrezikun për zjarre të reja. / Alsat.mk



