Gazetare: Linda Ebibi
Vaksinimi kundër gripit sezonal ka nisur sot dhe zhvillohet në 36 loakcione të vendit. Janë siguruar 70 mijë doza, ndërsa 32 mijë qytetarë janë paraqitur për vaksinim.
Në klinikën “Bit Pazar” shihej një interesim i madh i qytetarëve për t’u vaksinuar.
Vetëm gjatë ditës së sotshme ishin caktuar 600 termine për vaksinim, ndërsa deri në mesditë 200 prej tyre e kishin pranuar atë.
Doktoresha, Sanja Cilevska Mlladenovska, tha se vaksinimi po zhvillohet pa pengesa, ndërsa tregon edhe arsyet pse duhet vaksinuar.
“Gripi tek një popullatë e caktuar mund të shkaktojë probleme dhe komplikime serioze me pasoja të pafavorshme të sëmundjeve, kështu që qytetarët mbi moshën 65 vjeçare, qytetarët që kanë probleme serioze me sëmundjet kronike, mos ti harrojmë fëmijët e vegjël nga 5 muajsh deri në 5 vjet, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësor të cilët çdo dit janë të ekspozuar ndaj gripit përmes pacientëve të tyre, kuptohet që duhet ta pranojnë vaksinën, sepse vaksina është e mirë, sigurisht i mbron prej komplikimeve, mund që të mos i mbrojë që të sëmuren nga gripi, megjithatë do t’i mbrojë nga komplikimet serioze, hospitalizimeve dhe rezultate të padëshiruara”, tha Sanja Cilevska Mlladenovska.
Qytetarët, kryesisht të moshuar thonë se shumë më lehtë e kalojnë sezonin e dimrit dhe shmangin antibiotikët.
“Po gjithçka është në rregull. Për herë të parë vaksinohem, por jam e kënaqur me doktorët. Jemi në grupin e rrezikut përderisa na kanë shkruar. Vitin e kaluar shumë shpesh jam sëmurë, shumë shpesh kam pirë barna, dhe përsëri isha e sëmurë, kollitesha”, u shpreh një qytetare.
“Këto dy vite kam kaluar shumë mirë. Super, nuk kam pirë asnjë antibiotikë, viti i tretë është që vaksinohem”, tha një qytetare tjetër.
“Çdo vit vijë, nuk kam pasur as virus as ndonjë problem. Jam i kënaqur, paraqitemi në kohë. Ne të moshuarit jemi të ndjeshëm në këtë çështje”, u shpreh një qytetar.
“Për gripin sezonal ndjehem shumë mirë, deri më tani nuk kam pasur problem me vaksinimin. Kështu edhe me kovidin 4 herë jam vaksinuar. Jo lehtësisht, por fantastike, asnjëherë nuk kam pasur problem, as kollitje as temperaturë. Sipas moshës, super”, theksoi një qytetar.
Në Shkup vaksinimi do të bëhet në Qendrën për shëndet publik, në poliklinikat “Bukuresht”, “Idadijë” dhe Bit Pazar, ndërsa në Institutin e Shëndetit Publik vetëm për punëtorët shëndetësorë.
Ministria e Shëndetësisë njofton se të gjithë të regjistruarit do të marrin porosi SMS për datën, orën e saktë dhe vendin ku duhet të paraqiten për vaksinim. / Alsat.mk