Nga kjo e hënë, ka hyrë në fuqi tarifa për qarkullim në autostradën që lidh Kosovën me Shqipëri.
Qytetarët që e shfrytëzojnë më shpesh Rrugën e Kombit nuk janë të pajtimit me çmimin prej 5 eurosh për vetura.
Një ndër arsyet që përmendin është mospërfundimi i autostradës.
Derisa kundërshtime për vënien e taksës për rrugën ka më së shumti nga bizneset.
Për banorët e Qarkut të Kukësit tarifa është zbritur në 100 lekë.
Ndërkohë, bizneset që udhëtojnë çdo ditë do të pajisen me karta digjitale.
Pagesa në këtë autostradë fillimisht kishte nisur më 29 mars, për t’u ndërprerë pas protestave të banorëve të Kukësit, të cilat kishin eskaluar me dhunë e si pasojë ishin djegur edhe pikat kontrolluese që janë të vendosura afër tunelit të Kalimashit.
Kjo ka shtyrë që edhe hyrja në fuqi e taksës të përcillet nga forca të shtuara të Policisë.
Çështja e pagesës do të diskutohet edhe në mbledhjen e pestë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila mbahet në nëntor në këtij viti në Pejë.