Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia ka hyrë në fuqi në provincën Idlib të Sirisë.
Marrëveshja është nënshkruar të enjten në Moskë nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut – grup që monitoron luftën në Siri – tha se në rajon ka qetësi relative.
Ajo vjen pas disa javësh luftime intensive midis rebelëve të mbështetur nga Turqia dhe forcave qeveritare siriane, të mbështetura nga Rusia.
Rreth 60 ushtarë turq janë vrarë gjatë një ofensive të Qeverisë siriane në Idlib – zonën e fundit në Siri që kontrollohet nga rebelët anti-qeveritarë.
Luftimet kanë çuar në krizë humanitare në provincë dhe kanë nxitur frikë për një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe Turqisë – vend anëtar i NATO-s.
Përpara se të hynte në fuqi armëpushimi, Turqia tha se dy ushtarë të saj janë vrarë në përleshje me forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Turqia po ashtu tha se ka vrarë 21 trupa siriane dhe se ka shkatërruar disa artileri.