Në kërkim të ‘shqipfolësve’ në Tiranë, që punuan për copëtimin e Kosovës

Është krijuar një “lëmsh” i madh pas deklaratave të fundit të të ngarkuarit special të Donald Trump për dialogun Serbi-Kosovë, Riçard Grenell, i cili tha se idenë e “shkëmbimit të territoreve” e ka përkrahur vetëm ish- këshilltari për Sigurinë Xhon Bolton dhe jo presidenti.

Pas kësaj u krijua një retorikë mediatike, sikur autor i këtij plani ka qenë vetëm Bolton dhe Beogradi dhe përkrahës të tij në Prishtinë dhe Tiranë, thjesht kanë ndjekur idenë e tij.

Faktikisht vetë Bolton ka deklaruar publikisht në kulmin e propagandës për këtë ide, se “SHBA do të përkrahin çdo marrëveshje që dakordësohet mes dy palëve (Serbi-Kosovë), edhe nëse ajo përfshin rishikimin e kufijve”.

E vërteta tashmë e bërë edhe publike është, se plani i kësaj “marrëveshje historike” është gatuar në Beograd dhe pastaj është përkrahur nga presidenti Thaçi dhe Edi Rama prapa perdeve në Tiranë.

Se kë gjetën në Shtëpinë e Bardhë për ta promovuar, kjo është tjetër çështje, por copëtimi i territoreve të Republikës së Kosovës e ka fillesën në Ballkan dhe pikërisht në trekëndëshin zyrtar Beograd-Prishtinë-Tiranë.

Këtë fakt e ka rikonfirmuar së fundmi edhe ish ministri i Jashtëm në qeverinë Rama, Ditmir Bushati.

Në daljen e fundit te “5 pyetje nga Babaramo”, ai deklaroi se plani dhe ideja për ndarjen e Kosovës, nuk kanë ardhur nga SHBA, por nga serbët të cilët janë mbështetur nga disa shqipfolës.

“Ndarja e Kosovës është një ide serbe që fatkeqësisht vijoi të promovohej nga shqipfolës. Sot ka njerëz që janë tërhequr nga kjo ide, sidomos pas deklaratave të Richard Grenell dhe ajo çfarë pamë është se procesi i njohjes së Kosovës nuk avancoi, Serbia arriti të përçajë klasën politike në Kosovë dhe jo vetëm dhe brenda BE u krijuan disa të çara ndërkohë që ne ishim mësuar me një ndërhyrje shembullore të familjes euroatlantike dhe SHBA, ku punohej së bashku dhe arritëm të siguronim çlirimin e Kosovës dhe krijimi i shteti të tij”, deklaroi Bushati.

Më herët ai ka thënë se kur ishte ministër i Jashtëm, i kanë shkuar në zyrë, me planin dhe hartën e ndarjes së Kosovës.

Bushati ende nuk ka treguar arsyet se përse Rama e përzuri nga kabineti qeveritar pikërisht kur çështja e këtij plani ziente në Ballkan, Europë dhe madje edhe në SHBA. Por zëra pranë tij konfirmojnë se një nga shkaqet kryesore, ishte pikërisht dalja kundër kryeministrit për këtë çështje.

Në deklaratën e fundit te emisioni i Babaramos, Bushati thekson se: “Ndarja e Kosovës është një ide serbe, që fatkeqësisht vijoi të promovohej nga shqipfolës”.

Ka ardhur koha që ai duhet që t`ju vërë emër dhe mbiemër këtyre “shqipfolësve”, të cilët kanë promovuar një ide antishqiptare të Serbisë.

Si quhen; çfarë pozicionesh kanë në politikë dhe brenda dy shteteve shqiptare?!

Duke pasur parasysh se presidenti Thaçi dhe enturazhi i tij mediatik me në krye Baton Haxhiun, për gati dy vite i nxorën këmbët hapur në shqip e në anglisht pro këtij projekti, e rëndësishme është që të mësohen edhe këmbët e fshehura me kujdes këtu në Tiranë.

Ditmir Bushati mund të jetë në pozitë të vështirë personale, pasi e ka një detyrë si shef i zyrës së Ramës në Vjenë në kuadër të kryesimit të OSBE dhe duket gjithashtu, se shpreson që të rikthehet në karrigen e Gent Cakajt. Por tani që Shtëpia e Bardhë u distancua prerë nga ai projekt, duhet që të shqiptojë emrat në Tiranë të cilët kanë qenë pro dhe madje siç deklaron edhe kanë lobuar.

Në pranverë e vitit 2019 presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zbuloi se plani për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë kishte qenë i tiji dhe se ai kishte dështuar në Samitin e Berlinit. Rama në atë samit u shfaq teje i nervozuar me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili nëpërmjet taksës 100% i hoqi themelet planit.

Në të njëjtën periudhë ish-kryenegociuesja e Kosovës, Edita Tahiri, bëri një denoncim të fortë sipas të cilit Ed Rama dhe Vuçiç kishin rënë dakord për këtë plan në takimin e tyre në Nish në vitin 2016.

Më herët, edhe ish-Ministri serb Vuk Jeremiç kishte denoncuar treshen Vuçiç-Rama-Thaçi për këtë plan dhe për lobimin për të.

“Plani për shkëmbimin e territorit “është kryer në sekret të plotë” ndërmjet krerëve të vendeve, pavarësisht se nuk mbështetet nga pjesa më e madhe e serbëve. Presidenti Vuçic është gati të shkëmbej luginën e Preshevës, me pjesën veriore të Kosovës.

Ka një rrjet lobimi, i cili po punon për përmbushjen e kësaj marrëveshje, në të cilën bëjnë pjesë ish-kryeministri britanik Tony Blair, ish-menaxheri i fushatës elektorale të Presidentit Trump, Corey Lewandowski, kompania e lobimit Wolfang Petritsch, si dhe Aleksandër Soros.

Rama, Vuçiç dhe Thaçi e kuptojnë se anëtarësimi në BE është shumë larg, ndaj ato kanë vendosur prioritetet e tyre për të qëndruar në pushtet, si për shembull, nënshkrimi i marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve”, deklaroi ai në një intervistë për të mirënjohurën austriake, “Der Standard”.

Edhe Sonja Birseko, kryetare aktuale e Komitetit të Helsinkit në Serbi, deklaroi në tetor të vitit 2018, se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë Ed Rama ishin marrë vesh në Nish, për ndarjen e Kosovës.

Por nuk mbaron këtu!

Në muajin gusht të vitit 2018, ish-kryeministri i Suedisë Carl Bildt në një analizë të shkruar posaçërisht për “Uashington Post” zbuloi se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i kishte thënë në një bisedë konfidenciale, se ishte dakord me idenë e Vuçiçit për ndarjen e Kosovës!

Brenda tre viteve, nga 2013 deri në 2016 kur edhe u krye takimi `sekret` në Nish, Edi Rama është takuar tetë herë me Aleksandër Vuçiç, por as shqiptarët dhe as serbët nuk panë ndonjë produkt të qenësishëm mes të dy vendeve, përveçse avancimit të lobimit të planit për ndarjen e Kosovës.

Tani ka ardhur koha që të zbulohen emrat e shqipfolësve në Tiranë, të cilët kanë lobuar në këtë plan anti-shqiptar, të cilin edhe Shtëpia e Bardhë si duket e dogji përfundimisht./Po.Ho

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme