Policia kineze ka sekuestruar një sasi prej 1.3 ton kokainë nga Amerika e Jugut. Autoritetet thanë se kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në vend.
Siç raportojnë mediat vendase droga u kap në qytetin jugor të Shenzhen, ndërsa në pranga janë vënë 10 persona, si të dyshuar që kanë lidhje me kokainën.
Të arrestuarit janë kryesisht nga Hon Kongu, ndersa hetimi ka filluar që në korrik të 2017, tha departamenti i sigurisë publike.
Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua tha se ngarkesa masive kishte një vlerë prej një miliard juan ose 160 milionë dollarë amerikanë.
Deklarata e policisë nuk tha nëse droga ishte e destinuar për tregun kinez ose një vend tjetër, por përdorimi i kokainës është i ulët në Kinë krahasuar me llojet e tjera të drogës.