Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Deminimit, të martën në Poligonin e KFOR-it në Zatriq të Rahovecit, u organizua një operacion për deminimin -shkatërrimin e mjeteve të pashpërthyera, i cili u realizua nga FSK-ja, KFOR-i, Policia e Kosovës dhe nga disa organizata joqeveritare.
Zëvendësministri i FSK-së Muhamet Latifi theksoi se kompania e deminimit, deri më tani ka pastruar nga minat mbi 50 milionë metra katrorë si dhe janë gjetur dhe shkatërruar 88,778 mina dhe mjete tjera të pashpërthyera, me këto kapacitete FSK-ja do të vazhdojë pastrimin e të gjitha pjesëve të minuara të Kosovës.
“Këtu ka ndodhur një luftë, e cila ka lënë pasoja shumë të mëdha, ku janë minuar shumë fusha. Pastrimi i këtyre fushave është shumë më rëndësi për ne, sepse përveç se siguron jetën e qytetarëve dhe lëvizjen e tyre të lirë, ndikon edhe në zhvillimin ekonomik, pasi shumë prona deri më tani nuk kanë pasur mundësi të shfrytëzohen nga qytetarët”, citon kp të ketë thënë Latifi.
Ndërsa, shefi i Qendrës Koordinuese të Ministrisë së FSK-së, Ahmet Sallova tha se FSK-ja që nga viti 2010 ka pastruar mbi 1.745,465 metra katrorë si dhe ka shkatërruar 2177 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera, kurse ekipet e EOD-së kanë intervenuar në 2136 raste dhe kanë demoluar 3150 mjete të ndryshme eksplozive.
Sipas tij, pavarësisht punës së madhe të njësive të deminimit deri më tash, janë edhe 111 zona të afektuar nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera.