‘Në kundërshtim me ligjin’/ Komuniteti i gazetarëve reagon ndaj ‘ndëshkimeve’ të Ramës: Zyrtarët e lartë kanë detyrim të jenë transparentë!

Në Tiranë, organizata të gazetarëve, pedagogë dhe analistë të njohur reaguan lidhur me pezullimin tremujor nga konferencat e shtypit, që kryeministri Rama i komunikoi një gazetari, me shpjegimin se pyetja e tij ishte jo-etike.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i kërkoi kryeministrit të ndërpresë masa të tilla penalizimi për gazetarët, për shkak të pyetjeve që ata bëjnë, si akte që shënojnë rënie të lirisë për informim. Kryeministri Edi Rama refuzoi t’i përgjigjej të premten pyetjes së gazetarit Klevin Muka, me shpjegimin se ai kishte bërë një pyetje joetike.

“Do të kalosh në riedukim, si Ambrozia, për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi. Për pyetje të përsëritura, pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim. 3 muaj. Përgjigjen e radhës do ta marrësh pas 3 muajsh në tetor” – tha zoti Rama.

Kjo është hera e dytë që zoti Rama “çon për riedukim” përfaqësues të shtypit. Ngjashëm ai “çoi për riedukim” disa muaj më parë gazetaren Ambrozia Meta menjëherë pas një pyetje që ajo i bëri gjatë një konference me shtypin. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë deklaroi se ndëshkime të tilla janë të pazakonta dhe të panjohura në komunikimet e udhëheqësve të shteteve me gazetarët dhe me mediat.

Kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, tha se ndërhyrja e kryeministrit dje ishte një akt i përsëritur penalizimi të gazetarit për shkak të pyetjes, gjë që bie ndesh me legjislacionin shqiptar për të drejtën për t’u informuar dhe shënojnë rënie të lirisë për informim.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj rasteve të tilla dhe i kërkon kryeministrit të Republikës të ndërpresë masa të tilla penalizimi për gazetarët, për shkak të pyetjeve që ata i bëjnë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë do të dëshironte që praktika të tilla të refuzohen menjëherë, madje edhe të anullohen si rasti i fundit. Përsëritja e rasteve të tilla do të shkaktonte reagime të shumta nga komuniteti i gazetarëve vendas dhe ndërkombëtarë. Një gjë e tillë nuk e nderon lirinë e medias në Shqipëri dhe aq më keq, vazhdon të përkeqësojë indekset e lirisë së medias në raportet ndërkombëtare” – tha zoti Çipa.

Drejtuesja e Organizatës së Verifikimit të Fakteve “Faktoje.al”, Klodiana Kapo, thotë se liria e mendimit dhe shprehjes, liria e të kërkuarit llogaridhënie me fakte dhe burime janë elemente bazë të gazetarisë, që e forcojnë edhe demokracinë.

“Zyrtarët e lartë të zgjedhur kanë detyrim të jenë transparentë, të hapur ndaj llogaridhënnies, sepse kjo forcon demokracinë e vendit dhe rrit besimin ndaj institucioneve publike, i cili është në nivel shumë të ulët. Një nga elementët kyç të pnës së një gazetari është të kërkojë fakte dhe t’i verifikojë ato, për të thënë të vërtetën, për të informuar. Kjo as nuk mund të dënohet, as nuk mund të shantazhohet” – thotë zonja Kapo.

Masa ndëshkuese e kryeministrit Rama ndaj gazetarit Muka cilësohet si e paqartë në kuptimin juridik dhe administrative nga pedagogu i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Zylyftar Bregu. Ai thekson se në komunitetin e gazetarëve nevojitet solidaritet, që këto lloj masash të mos përsëriten sa herë që artikulohen pyetje të papëlqyeshme ndaj zyrtarëve në të gjithë nivelet e administratës.

“Mendoj se pyetja e gazetarit nuk ishte jo-etike. Ishte pak sarkastike, por nuk ishte jo-etike. Ndërsa vendimi i kryeministrit ishte arrogant. Në vend që të jepte një përgjigje shteruese, ai dha një përgjigje dënuese. Mendoj që gazetarët janë lënë vetëm nga pronarët, nga shoqatat, dhe nga vetë njëri tjetri. Nuk shoh ndonjë solidaritet midis kolegëve” – thotë zoti Bregu.

Analisti i politikës dhe ekspert i gazetarisë, Lutfi Dervishi, thekson se nga përdorimi gjithnjë e më i madh i rrjeteve sociale, zyrtarët po ngushtojnë përherë e më shumë komunikimin me gazetarët. Zyrtarët, thotë ai, ndjehen të habitur kur në përballjet e rralla me gazetarët ndeshen me pyetje sfiduese, por pyetjet janë për të marrë përgjigje dhe jo për të marrë ndëshkim.

“Është përtej imagjinatës që të shpallen ndëshkime ndaj gazetarit për pyetjen qe bën. Një gazetar i lirë ka të drejtën e shenjtë për të bërë pyetje sfiduese. Nuk është shkelje ligji, as blasfemi nëse gazetari në pyetjen e tij përdor sarkazmën. Është më mirë le ta teprojë gazetari, se sa ta teprojë pushtetari. Përdorimi nga ana e kryeministrit i termit “riedukim” është një atavizëm që vjen nga Revolucioni Kulturor Kinez i shekullit të kaluar. Ndëshkimi i gazetarëve është thjesht një gabim” – thotë zoti Dervishi.

Shqipëria ra me 20 vende në Indeksin Botëror të lirisë së Shtypit, përgatitur nga organizata “Reporterëve pa Kufij”, duke u renditur në vendin e 103 nga 180 për vitin 2022.

Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë në raportet e tyre se kuadri ligjor për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informimit nuk zbatohet plotësisht në praktikë dhe ka shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të informimit dhe të shtypit, të cilat vazhdojnë.

Ato theksojnë se për gazetarët në Shqipëri është mjaft e vështirë për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të vështira të punës./Marrë nga VOA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme