Gazetar: Ardit Ramadani
Djemtë, vajzat, nipërit e bashkëshortet e funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Lidhjes Social Demokrate do të jenë gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut. Në mesin e shumë kandidatëve si dhe në kohën kur gjyqësori po përballet me kritika të ashpra, lista e gjykatësve dhe prokurorëve të ri është e mbushur me ngjyra partiake. Përveç pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, Bashkimi Demokratik për Integrim familjarëve të vet, edhe atë deri në brezin e 4 po ju siguron ulëse edhe në pushtetin gjyqësor.
Nga 58 kandidatë, në listën e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë publik të publikuar një ditë më parë, i 42-ti ishte djali i spikerit të Kuvendit nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferit, Barlet Xhaferi si prokuror i ardhshëm.
Nipi i ish-anëtarit të KShZ-së nga radhët e BDI-së si dhe gjykatësit në Gjykatën Administrative, Subhi Jakupit, Ilir Jakupi ishte i 37-ti në listë për prokurorë.
Pajtim Mashkulli, i biri i këshilltarit të BDI-së dhe ish kryetarit të këshillit të komunës së Dibrës, Bashkim Mashkullit, do të shërbejë si gjykatës në një prej gjykatave të vendit.
Përveç bashkëshorte, shefi i Prokurorisë për ndjekjen e Krimit të Organizuar, Islam Abazi, Albulena Abazin tashmë do ta ketë edhe kolege pasi është në listën për prokurore. Abazi ishte fotografuar me funksionar dhe ish-funksionarë të BDI-së si dhe mënyra e zgjedhjes së tij u kritikua nga institucionet ndërkombëtare.
Përveç BDI-së, “hundët” në gjyqësorë dukshëm po i fut edhe LSDM-ja ndërkaq ish-gjykatësit dhe prokurorët po ua lënë vendet fëmijëve të tyre. Bashkëshortja e djalit të sekretares së përgjithshme të kuvendit, Cvetanka Ivanovës, Biljana Ivanova ishte në listë për gjykatëse. Në listë ishte edhe bashkëshortja e kryetarit të komunës së Aerodromit nga VMRO-ja, Timço Mucunskit, Simona Mucunski.
Edhe Jetmir Bexheti, djali i gjykatësit në Gjykatën e Apelit, Enver Bexhetit, për të cilin u konstatua se kishte mbajtur në sirtar lëndët për ish-shefin e policisë sekrete, Sasho Mijalkov, do të jetë një ndër prokurorët e ardhshëm të venit.
Sipas ekspertes dhe ish-kryetares së Komisionit Antikorrupsion, Mirjana Dimovska, shteti duke mos e parandaluar këtë po bëhet gjenerator i korrupsionit, shtoi se vetë kandidimi i tyre për në gjyqësor, përbën dyshime për korrupsion dhe nepotizëm.
”Nuk ka dyshim që kështu krijohet një gjenerator i korrupsionit, sepse nepotizmi është formë e korrupsionit. Bëhet fjalë për persona të afërm të cilët edhe sipas dispozitave ligjore nuk e kanë të lejuar të veprojnë si gjykatës dhe prokurorë 0:48 Çka duhet të presim? Të ndodhë korrupsioni i drejtpërdrejtë dhe pastaj të gjykohet në mënyrë të njëanshme dhe jo objektive? Pikërisht për këtë besimi në gjyqësor është shumë i ulët”, deklaroi Mirjana Dimovska, eksperte.
Në ndërkohë besimi në gjyqësor çdo vit po ulet dhe aktualisht vetëm 4 për qind e qytetarëve i besojnë plotësisht. /Alsat.mk