Ne më shumë se gjithë ju e kemi kritikuar Afrim Gashin, po ama ai u tregua politikan vizionar!

Analizë nga disa ekspertë të Liderit

Nuk besojmë se ekzistojnë intelektual shqiptar në Maqedoninë e Veriut që e kanë kritikuar Afrim Gashin më shumë se ne në momentin kur vendosi të bëjë marrëveshje me Zoran Zaevin për hyrje në Qeveri. E kemi kritikuar edhe në rrjetet sociale, edhe në biseda private e shoqërore, ndoshta ndonjëherë deri në ofendim dhe për këtë sot kërkojmë falje.

Kërkojmë sinqerisht falje, sepse fundja nuk ishte faji i Afrim Gashit e Alternativës që nuk u krijua shumicë e re pa BDI-në, sikurse edhe synohej.

Mbi të gjitha kërkojmë falje sot, sepse u tregua që vendimi i tij edhe pse nuk ishte i lehtë në atë moment, megjithatë ishte vizionar. Ndoshta politikanët maqedonas kishin mbi supet e tyre barrë të njëfishtë, sepse vendosnin vetëm për fatin e Maqedonisë së Veriut, por barra e politikanëve shqiptarë ishte e dyfishtë, pasi vendosej edhe fati i Maqedonisë së Veriut edhe fati i shtetit amë, Shqipërisë.

Afrim Gashi do ta kishte kursyer veten dhe partinë e tij nga kritikat që shkuan deri në sharje e ofendime, po të kishte zgjedhur të mbetet pjesë e një opozite, e cila dorën në zemër ishte mjaft shpresëdhënëse dhe mjaft e pushtetshme në nivel lokal.

Do të lavdërohej e duartrokitej, pa dyshim. Mirëpo, nga kjo perspektivë është e qartë se momenti nuk ka qenë për kalkulime ditore politike, por se sdidat kanë qenë më serioze dhe më afatgjate.

Çdo politikan dhe parti që në momente të tilla merr vendime të duhura, përkundër presioneve të ashpra të opinionit publik, meriton respekt. Kuptohet meriton edhe kërkim falje, në një ditë si sot, kur sakrifica e rejtingut politik jep rezultate madhore që tejkalojnë kontekstin e ngushtë politik, pasi kanë të bëjnë jo vetëm me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut por edhe me vëllezërit tanë në Shqipëri.

Meriton respekt edhe vendimi i Alternativës që të mos futet në Qeveri pa kushte dhe pa kritere, por me një marrëveshje të shkruar, duke u bë partia e parë shqiptare që arriti diçka të tillë.

Për gjithë këto që numëruam më lart, vlerësojmë se dita e sotme përveç që ishte ditë e mirë për të festuar hapjen e rrugës drejt Brukselit është edhe ditë e mirë për të kërkuar falje prej atyre që i kemi kritikuar pa bazë, si në rastin konkret ndaj Afrim Gashit.

Që të mos keqkuptohemi, nuk duam të themi se intelektualët, analistët dhe opinionistët nuk duhet të vazhdojnë me kritikat e tyre ndaj politikanëve. Fundja politikanët paguhen nga taksat e qytetarëve dhe duhet të mësohen me kritika.

Mirëpo në raste kur e shohim që kemi gabuar, ia vlen edhe ne si opinionistë të kërkojmë falje, jo për hir të politikanëve, por për hir të ruajtjes së integritetit tonë dhe reputacionit për të kritikuar edhe në të ardhmen.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme