Në Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ministri Pal Lekaj, i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për rreth 1 vit e gjysmë qeverisjeje janë punësuar familjarë të figurave partiake, asamblistë dhe militantë të AAK-së.
Siç ka mësuar gazeta, njëri nga të punësuarit në këtë ministri është djali i dajës së kryeministrit, Ramush Haradinaj, Eduart Brahimaj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Brahimaj në rrjetin social Facebook deri të martën tek informatat personale i shënonte se është ekzaminer në Ministrinë e Infrastrukturës, por pasi i ka dërguar pyetje gazeta e ka larguar atë të dhënë.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nuk u është përgjigjur as telefonatave e as pyetjeve që ia ka dërguar gazeta.
Një tjetër person i afërt me Pal Lekajn është rehatuar në administratën e kësaj ministrie. Deri para disa muajsh, Fatos Mani ka qenë këshilltar i ministrit Lekaj. Por, para disa javësh, sipas vendimit për shpalljen e kandidatit fitues për pozitën e drejtorit të Departamentit të Financave del që fitues është pikërisht Fatos Mani. As për këtë Lekaj nuk ka kthyer përgjigje. Mani është anëtar i këshillit drejtues të AAK-së.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)