Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq nuk pret progres në zgjidhjen e problemit të Kosovës në Samitin e Parisit i cili do të mbahet më 1 korrik i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Daçiq ka thënë se pret presion të mëtejshëm mbi Serbinë por shton se vendi i tij është mësuar t’i bëj ballë presionit dhe se kur bëhet fjalë për njohjen e Kosovës ‘nuk do të ketë asgjë’.
“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk do të pajtohet asnjëherë me këtë”, ka deklaruar Daçiq për ‘Tanjug’, transmeton lajmi.net.
Sa i përket vazhdimit të dialogut, ai ka thënë se në Paris do të diskutohet se çfarë do ndohë me këtë çështje mirëpo sipas tij, njëher duhet të përfundojnë zgjedhjet evropiane.
“Ne duhet të gjejmë elemente për zhbllokimin e dialogut dhe duhet të kemi formulim shumë të saktë, kjo do të thotë të mos ndryshohet formati i dialogut”.
Tutje, Daçiq ka thënë se kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj dëshiron të hyjë në histori me mos heqjen e taksës, pasi kjo ishte kërkesë edhe e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe u shpërfill nga pala kosovare.
Po ashtu, Daçiq ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli për iniciativën për të krijuar një Tribunal i cili do gjykojë serbët që kanë kryer krime në Kosovë dhe ministrin e Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli i cili vendosi ta shpallë atë person të padëshiruar pasi nuk po i pranon krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.