Gazetare: Melihate Rustemi
Ndërsa qytetarët kanë nisur të planifikojnë se ku do të kalojnë pushimet verore, në sheshin “Maqedonia” në Shkup vazhdon të mbizotërojë atmosferë e Vitit të Ri. Kjo për shkak të prezencës së shtëpizave prej druri që zakonisht vendosen gjatë festave të fundvitit. Qytetarët ankohen se një pjesë e shtëpizave janë të thyera dhe janë shndërruar në shporta mbeturinash. Madje, disa prej qytetarëve propozojnë që shtëpizat prej druri të shndërrohen në shtëpi pëllumbash, nëse të njëjtat do të vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin e qytetit.
“Ky është mentaliteti maqedonas, çfarë vendoset nuk hiqet më, kjo është katastrofë këtu”, tha një qytetar.
“Duhej që para dy muajsh të largohen, tashmë është vonë. Menjëherë duhej të hiqeshin, më 10 janar, tash është shumë vonë, kjo as nuk komentohet”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Shumë më herët duhej t’i largonin. Pikërisht këtë e biseduam, ndoshta nuk kanë se ku ti lënë, të paktën t’ia shesin dikujt. Për çfarë ti përdorin, le t’i bëjnë shtëpi pëllumbash”, theksoi një qytetar.
Shtëpizat prej druri nuk pranojnë ti përdorin as shitësit e librave në rrugë në shesh.
“Mua nuk do të më kryenin punë, janë shumë të vogla. Ndoshta kanë ndonjë ide tjetër, ti vendosin diku ose presin organizimin e ndonjë tjetër ngjarje, ndoshta kjo është çështja, nuk ka tjetër sqarim”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Nuk do të kisha thënë që akoma është viti I ri, nuk e di ku është problemi dhe përse I ruajnë. Përse mos të përdoren për diçka tjetër. Kanë pamje dekoruese megjithatë duhet të shfrytëzohen”, tha një qytetare.
Gjatë festave të fundvitit, shtëpizat prej druri shfrytëzohen për shitje të gjësendeve të ndryshme. Nga Qyteti i Shkupit nuk dhanë asnjë përgjigje nëse shtëpizat dekoruese do të largohen nga sheshi ose nëse të njejtat do të shfrytëzohen për ndonjë rast tjetër. / Alsat.mk