E shtune, 05 Nentor 2016 – Sakte.net /
Ne shqiptarët sikur ia kemi marrë dorën që çudirat t’i ngremë në piedestal. Edhe pse jemi ndër më të varfërit e Evropës. Lehtë e lehtë ia kemi nisur të bëjmë llogaritë për zgjedhjet që na presin. Të rrisim pagat dhe të afrojmë militantët. Po, kur kemi 126 parti ndoshta askujt botë nuk i ka shkuar mendja që veprimi i parë i shqiptarëve në këtë fillim fushate do të jetë ngritja e partive të reja. Sikur ne shqiptarët nuk dimë gjë tjetër, vetëm të pjellim parti. E megjithatë kemi mbetur më të varfërit e Evropës.
Vetëm pak ditë kanë kaluar kur lindën dy parti të reja, “Sfida për Shqipërinë” dhe “Libra”. Dhe shqiptarët e ngratë të zhytur në varfëri nuk ndjejnë ndonjë ndryshim. Ndërsa mërmërisin: më mirë parti të reja, se këto të vjetrat na morën shpirtin me mashtrimet e pafund. Parti kemi me bollëk, por sërish mendojmë se partitë e reja mund ta shkundin klasën tonë politike, këtë monstër të çuditshme që nuk di tjetër gjë vetëm të plaçkisë e të mbushë xhepat e familjes. Parti politike që deri tani u kanë treguar shqiptarëve se dinë vetëm të plackisin në interes të një lukunie që çdo shqiptar thotë: uroj të jetë larg b… sime.
Tani këto lloj klasash politike që për 26 vjet me rradhë i kemi mbajtur mbi shpinë nuk i duhen askujt. Ndaj, ndërsa lindin forca të reja, shumë prej atyre që i mbajtëm 26 vjet mbi shpinë ka ardhur koha të zhduken e të largohen nga skena politike. Sepse janë ato shkaku kryesor i varfërimit pa ndalur të shqiptarëve. Sepse janë forca që kanë ndërtuar një pushtet familjar e tërësisht të korruptuar, ku politikanët hyjnë sot të varfër dhe nesër gdhihen milionerë. Për një detaj të jetës shqiptare që gjithë pushteti, gjithë palo Drejtësia vazhdojnë të qëndrojnë krejtësisht indiferentë. Ndoshta nga këtu duhet nisur ndryshimi i madh që presin gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen nëpër botë. Sepse për interesin qytetar askush nuk interesohet, pasi pushteti familjar tashmë njeh vetëm familjen që trashëgon pushtetin nga njëri brez te tjetri. Diçka e tillë tashmë po bëhet gjithnjë e më evidente, nëse shqiptarët do të vazhdojnë të qëndrojnë indiferentë.
Se ka ndodhur kështu pa në toka shqiptare nuk po ngopet ende me parti politike që edhe pse janë me shumicë, sërish për shqiptarët dalëngadalë po afrohet vdekja e shpresës. Është kjo arsyeja që vazhdojnë të largohen dhe vazhdojnë të emigrojnë. Të gjithë duan të ikin. Aq sa me shaka shqiptarët thonë: Sikur ta dimë se Evropa na pranon si jemi të gjithë do të iknin, bile do të ikte edhe Skënderbeu me kalin e tij që qëndron në qendër të Tiranës. Lindin parti të reja, po nuk kemi dëgjuar që të largohet nga skena ndonjë prej atyre partive që u ka mbetur vetëm kryetari. Se edhe të tilla parti kemi me shumicë. Mjafton të përmendim faktin se në zgjedhjet e vitit të kaluar ishin të regjistruar në listat zgjedhore vetëm 63 parti. Po edhe kaq parti të tjera ku ndodhen? Të tilla partive u ka mbetur vetëm kryetari që një herë në hënëz del ndonjëherë në ndonjë televizion nën siglën kryetar i partisë … Me kaq ai është i kënaqur. Sepse edhe me kaq ndonjëherë e kërkojnë peshqit e mëdhenj për të hyrë në koalicion. Thjesht shërben për të ngritur një numër, edhe pse nuk sjell në koalicion asnjë votë.
Fushata ende nuk ka nisur. Po jemi në prag dhe me këtë kod zgjedhor askush nuk e di përfundimin. Edhe pse partitë po shtohen. Me këtë kod zgjedhor do të vazhdojë rituali, diku me para, diku me mashtrime, ai që do të japë më shumë para dhe do të mashtrojë më shumë fakirfukarenjtë shqiptarë do të fitojë. Koalicioni në pushtet ndihet më i qetë, kur sheh se koalicioni opozitar vetëm zvarritet, pa ditur se ku po e çojnë këmbët. Të paktën opozita të dijë si kërkohet falje për idiotizmat e shënuara gjatë sundimit të kaluar 8 vjeçar. Qëndrimi indiferent i opozitës është një shqetësim i shumë shqiptarëve që kërkojnë ndryshimin, pasi pozita vetëm sa e mballosi ekonominë me lukuninë e reformave pa fund, ndërsa e ngriti në piedestal pushtetin e familjes së saj. Largimi i këtij pushteti, ndoshta mund t’u japë me shumë shanse partive të reja. Nëse do të dinë të zgjedhin elemente pozitivë dhe jo elementë si këto që kanë këto partitë e vjetra që prej 26 vjetësh vetëm kanë mësuar të plaçkisin e të gënjejnë duke i varfëruar nga dita në ditë shqiptarët. Sepse janë këto parti që dinë edhe ta parcelizojnë pushtetin duke e ndarë me lugë me njëri tjetrin, pasurinë kombëtare.
Tashmë ne shqiptarët e kemi mësuar se këto mostra, qeverisjes së parcelizuar ia kanë marrë dorën. Po, se çfarë arritjesh kemi nga kjo palo qeverisje me parcela tashmë ne shqiptarët e dimë se e kemi hequr mbi kurriz. Jo më kot këto parti kanë nisur ende pa nisur tamam fushata të vënë në lojë njëra tjetrën. Duke iu krenuar njëra tjetrës se në këto zgjedhje ne do të jemi të parat. Ne do të zgjedhim kryeministrin. Edhe pse tashmë e dinë mirë se populli nuk i honeps më. Se populli nuk i honeps më po bëjnë të gjitha përpjekjet për ta zvarritur reformën e drejtësisë, e cila tashmë është krejtësisht e ngordhur në këtë vend. Për të shpëtuar veten, ata thonë: më mirë e ngordhur kjo drejtësi sepse kështu ne mund të jetojmë si deri tani. Ndaj deri në qershorin e vitit të kaluar nuk dihet se edhe sa parti të reja mund të ngremë ne shqiptarët. Por pa sjellë ndonjë gjë të re për shumicën e stërvarfëruar tashmë. Partitë i ngremë, por askush nuk e di se çfarë sjellin ato.
Tashmë ne shqiptarët e dimë: Trupi i Shqipërisë ka shumë plagë. Për t’i shëruar ato kërkohet edhe një veting i gjerë dhe i plotë. Jo vetëm për palo gjyqtarët e palo prokurorët, por për gjithë klasën politike që është shkaktarja kryesore e ecjes në vend numëro të Shqipërisë gjatë këtyre 26 viteve.
Nga Riza HOXHA