Në tokën e shqiponjave do të vijë Hilafeti”, video që e prangosi Rakip Abdylin!

Një video e postuar në Youtube dhe postime në Facebook, ku bëhet thirrje për xhihad, i ka kushtuar me arrestim mëngjesin e së premtes Rakip Abdylit.

Abdyli, që është i lindur në Dragash të Opojës, por me vendbanim në Pejë, është arrestuar dhe sjellë në pranga në Gjykatën e Pejës, për caktimin e masës së sigurisë.

Mbi dyshimin për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, Avdylit i është caktuar një muaj paraburgim, gjë të cilën e ka konfirmuar për televizionin edhe gjyqtari i rastit, Sami Sharraxhiu.

Merita Bina Rugova, prokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës, tha se sipas provave të siguruara, i dyshuari ka bërë thirrje për sulme ndaj udhëheqësve të qeverisë dhe ambasadave të huaja.

“Prokuroria konsideron se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Rakip Abdyli, duke filluar nga koha ende e pavërtetuar, në mënyra të ndryshme vazhdimisht ka postuar mesazhe kërcënuese për publikun, ashtu që në Facebook përmes profilit të tij me emrin Rakip Abdyli, si dhe në Youtube në faqen ‘Nasheed’ ka postuar video incizime në të cilat të gjithë myslimanëve u bëhet thirrja që në emër të Xhihadit të kryejnë sulme kundër Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadave të huaja në Kosovë dhe paralajmërohet ardhja e Hilafetit, si në incizimin me titull ‘Në tokën e shqiponjave do të vijë Hilafeti’”, ka thënë ajo.

I dyshuari për shtytje për kryerjen veprës penale terrorizëm ka deklaruar në polici se ka dëshirë t’i bashkohet organizatës ISIS në shtetin e Sirisë.

“I pandehuri Rakip Abdyli është shumë i radikalizuar dhe sipas raportit të policisë, i njëjti madje ka shprehur dëshirën që të shkojë t’i bashkëngjitet organizatës ISIS në Siri. Nga kjo arsye, konsiderojmë se është i plotësuar kushti (për paraburgim), sepse është e bazuar frika se nëse i njëjti mbetet në liri do të përpiqet që të arratiset”, ka thënë Bina Rugova.

Vetë i pandehuri, Rakip Abdyli në deklarimin e tij në gjykatë tha se është penduar.

“Po jam penduar për veprimet e mia”, ka deklaruar ai.

Këshilli për Siguri i Kosovës u mblodh të enjten për të diskutuar rreth sulmeve të planifikuara ndaj liderëve shtetërorë e politikë.

Thirrje për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve u ka bërë edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, shtetasve të vet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme