Foto: Kallxo.com
Dardan Gashi ka lënë pa punë një pjesë të stafit të Ministrisë së Diasporës, meqë ka vendosur t’ia lëshojë një kat të objektit Delegacionit Shtetëror për Dialogun Kosovë – Serbi. Për shkak të kontributit në formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN, Gashi ishte quajtur sekser nga opozita.
Delegacioni Shtetëror për Dialogun Kosovë – Serbi, të cilin e bashkëkryesojnë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, do ta kenë në dispozicion një kat të objektit të Ministrisë së Diasporës.
Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, është treguar zemërgjerë me Delegacionin, pjesë e të cilit është edhe vetë ai, por ka lënë pa punë një pjesë së stafit të tij, pasi këta kanë mbetur pa zyra dhe pa kompjuterë derisa të bëhet një zgjidhje për ta.
Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Diasporës kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se ekipi negociator do të vendoset përkohësisht në objektin e këtij dikasteri qeveritar. “Për të mos krijuar shpenzime shtesë nga buxheti i Kosovës për zyra ose edhe për objekte Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS) ka caktuar një hapësirë të nevojshme për vendosjen e përkohshme të stafit teknik të ekipit brenda objektit të MDIS. Kjo është bërë edhe për arsye të afërsisë me zyrat dhe me objektet shtetërore me të cilat ky staf do të ketë komunikim të vazhdueshëm, si me Kryeministrinë, me Presidencën dhe me Kuvendin”, thonë nga Zyra për Informim e Ministrisë.
Dardan Gashi kishte luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN në vitin 2017, duke ndikuar te deputetja e LDK-së Teuta Rugova që ta votojë qeverinë “Haradinaj”. Këtë favor këtij koalicioni Gashi ia kishte dhënë falë lidhjeve që kishte me vëllain e deputetes Rugova, Ukën, përderisa përfaqësues të opozitës dhe analistë politikë e akuzonin Gashin për kontrabandim të votave, duke e quajtur sekser.