Nëna s’arrin ta shpëtojë vajzën nga mbytja në lumin e akullt

E hëne 14 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Banorët e fshatit Skudrinjë të Dibrës janë në zi pas lajmit për vdekjen tragjike të bashkëfshatares së tyre N.R. (1966) e cila ka ngrirë dhe pastaj është mbytur në ujërat e ftohtë të lumit Radika, njoftuan mediat maqedonase. Ngjarja tragjike, siç transmeton Expressi, ka ndodhur natën e kaluar.

 

Policia për tragjedinë ka mësuar mbrëmë rreth orës 23:50. Në stacionin policor në Rostush është paraqitur vëllai i së ndjerës, Sh.R. (1969) i cili ka lajmëruar se pak më herët, rreth orës 21, motra dhe nëna e tij kanë dalë nga shtëpia dhe janë nisur drejt vendit Sisveti, lokalitet ky i larguar rreth një kilometër nga shtëpia e tyre.

Gratë kanë tentuar ta kalojnë Radikën e ftohtë. Nëna e ka kaluar lumin e para, ndërsa prapa saj ka qenë e bija. Në një moment gruaja ka rrëshqitur dhe ka rënë në lumë. Nëna ka kërcyer në ujë për ta nxjerrë, por nuk ia ka dalë. Ajo ka vrapuar deri te shtëpia e afërt dhe ka kërkuar ndihmë.

Pronari M.M. dhe dy miqtë që i ka pasur mysafirë menjëherë kanë vrapuar drejt Radikës. Ata ia kanë dalë ta nxjerrin gruan nga uji, e kanë mbështjellë atë me batanije dhe e kanë futur në shtëpi. Menjëherë kanë thirrur mjekun nga fshati, i cili nuk ka arritur t’i ndihmojë. Më vonë ka arritur edhe eksperti i mjekësisë ligjore i cili ka konstatuar se 50-vjeçarja ka vdekur nga mbytja dhe ngrirja. Trupi i së ndjerës me vendim të prokurorit i është dorëzuar familjes./Gazeta Express/