Nënshkruhet marrëveshja për transport në Ballkanin Perëndimor!

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar të mërkurën në Trieste të Italisë, Traktatin e Komunitetit të Transportit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja për transport të përbashkët, u tha se do të përshpejtojë integrimin e rrjetit të transportit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogherini ka thënë të gjashtë përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit kanë shprehur vullnetin për thellimin e proceseve integruese.

“Qytetarët e rajonit përkrahin integrimin evropian. Kurse ne u garantojmë se fyert mbeten të hapura”, ka deklaruar Mogerini.

Në Samitin e Triestes kanë marrë pjesë përfaqësuesit e lartë të BE-së, Federika Mogherini dhe Johannes Hahn si dhe kryeministrat dhe disa nga ministrat nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Në takimin qendror, Republika e Kosovës përfaqësohej nga kryeministri Isa Mustafa. Aty ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sekretari i shtetit për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete tjera.

Po ashtu, në takimin në Trieste kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e gjashtë shteteve anëtare të BE-së, Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Sllovenisë.

Ministri i Jashtëm në Qeverinë në largim të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se gjatë këtij samiti janë janë diskutuar bashkëpunimi në mes të shteteve të rajonit në planin politik dhe atë ekonomik.

“Gjatë samitit të Triestes temë kryesore ka qenë bashkëpunimi rajonal në plan politik në mes të shteteve të rajonit, i cili natyrisht që ka pësuar një ndryshim të madh në këto vitet e fundit, por është diskutuar edhe bashkëpunimi më i mirë ekonomik në mes të ekonomive dhe shoqërive në rajon. Po ashtu, janë diskutuar projekte konkrete që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit, që është parakusht për tu integruar në BE”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, në margjina të samitit të Triestes, ka konfirmuar se ka takuar homologët nga rajoni, si dhe ka zhvilluar takime me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn, Sekretarin për Politikë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, si dhe ministrin për Punë të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz.

Po ashtu, Hoxhaj ka marrë pjesë në Forumin me Shoqërinë Civile, të organizuar në margjina të Samitit të Triestes, ku ka theksuar rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në rrugën e shteteve të Ballkanit drejt integrimit në BE.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se janë arritur pritshmëritë nga takimi si nga shtetet ballkanike ashtu edhe Bashkimi Europian.

“Por sërish mbetet e rëndësishme ta vazhdojmë këtë proces dhe është gjithashtu jetike që kurrë të mos harrojmë se kur ky proces nisi, e kishim të pamundur të takonim njëri-tjetrin. Kurse sot takimet tona nuk janë më diçka historike, madje janë të mërzitshme”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Kurse ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se disa vende të rajonit ende janë skeptike.

“Pati disa propozime, variante të ndryshme të marrëveshjes dhe ramë dakord sa i përket termit ‘zonë e përbashkët ekonomike’, e cila ka të bëjë me katër fusha për të cilat ranë të gjithë dakord”, deklaroi Daçiq.

“Pavarësisht nga propozimet e ndryshme, jemi të kënaqur me atë çka kemi arritur deri më sot, ishte e domosdoshme të gjenim gjuhën e përbashkët. Por disa vende të rajonit tonë kanë frikë se kjo mund të kthehet në një organizatë të dorës së dytë në Bashkimin Europian”, tha ministri i jashtëm i Serbisë.

Përpara takimit të udhëheqësve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me homologët e tyre të Italisë, Gjermanisë, Francës dhe përfaqësuesve të lartë të Austrisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn nënshkroi një marrëveshje me Fondin Evropian të Investimeve, Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe më Bankën Botërore për një financim prej 48 milion eurosh që do të shkojnë për të mbështetur zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të sipërmarrjes, veçanërisht për hapjen e sipërmarrjeve të reja.

Ky fond, i cili pritet të ndihmojë afër 6 mijë sipërmarrje, iI shtohet 220 milion eurove të lëvruara në 10 vitet e fundit për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Ballkan.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, me herët ka dhënë detaje në lidhje me Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Trieste të Italisë. Qëllim i këtij Samiti, thuhet të jetë forcimi i bashkëpunimit rajonal për një rrugë më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian.

Diskutimet, sipas informatave të publikuara nga zyra e BE-së, janë fokusuar në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: 1) Lidhshmëria, 2) Integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe 3) Kontaktet mes njerëzve.

Italia ishte nikoqire e Samitit të katërt vjetor në kuadër të “Procesit të Berlinit”, një iniciativë për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor, e cila pason pas Samiteve në Berlin (2014), Vjenë (2015) dhe Paris (2016).

Procesi i Berlinit, synon përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit mes tyre si dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme