Rusia po nxit mosmarrëveshje në Ballkan, teksa NATO’ja po ruan një paqe të vështirë, shkruan sot The New York Times, në një artikull që flet për ndikimin negativ të Moskës në Kosovë gjatë kohëve të fundit.
“Në pyjet e dendura përgjatë kufirit të kontestuar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, një patrullë e ushtarëve amerikanë të NATO-s ecin me mundim nëpër dëborë dhe baltë, duke vëzhfuar për kontrabandistë apo dikë tjetër që mund të bëjë përpjekje për kalimin e kufirit. Duke pasur parasysh trashëgiminë e përgjakshme të kësaj zone, situata është e qetë, të paktën deri tani”, shkruan gazeta njujorkeze.
Sipas NYT, “Rusia po ushqen tensione në një zonë që dikur konsiderohej si triumf i diplomacisë amerikane”.
“Në Serbi e Kosovë, inatet e vjetra po rishfaqen, teksa rajoni i Ballkanit që ka përjetuar aq shumë vuajtje gjatë shekullit të kaluar po bëhet përsëri i rrezikshëm. Edhe një herë, Rusia është duke ushqyer tensionet, teksa kërkon të shfrytëzojë situatën politike në një zonë që konsiderohej dikur si një triumf i diplomacisë amerikane – por që tani mbetet një sfidë në rritje e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në shkrimin e NYT.
“Rusia sheh që Perëndimi kërkon të ndërhyjë në oborrin e shtëpisë së saj, dhe presidenti Vladimir V. Putin dëshiron të tregojë se edhe ai mund t’ia kthejë. Ata e shohin Ballkanin si pjesë të lënë pas dorës së Perëndimit, dhe ata e përdorin atë për shtuar fuqinë rreth këtij projekti”, ka thënë për NYT, Dimitar Bechev, një ekspert i Rusisë dhe Ballkanin dhe kreu i Institutit të Politikës Evropiane në Sofje të Bullgarisë.
Në mungesë të ushtrisë së tyre, shkruan NYT, shumica e Shqiptarëve etnikë shohin trupat e NATO-s si mbrojtës të shtetit të tyre në Kosovë.
“Ata janë këtu për të na mbrojtur neve nga serbët kur ata duan të kthehen prapë,” është shprehur për të përditshmen amerikane Belkiza Sahatqiu, 46 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, e cila punon në një dyqan këpucësh në pjesën serbe të Mitrovicës.
Por, shumë serbë që jetojnë në Kosovë i përshkruajnë forcat aleate më shumë si okupues se sa mbrojtës, ka thënë për NYT Lilijana Miliç, e cila ka një fermë përgjatë rrugës magjistrale Mitrovicë – Prishtinë.
“Ata nuk po mbrojnë askënd, pa dyshim jo neve,” tha ajo. “Ata kanë ardhur të okupojnë këtë tokë, dhe tani qëndrojnë në bazat e saj. Ku ishin ata kur njerëzit u ndiqën nga shtëpitë e tyre në pikë të ditës?”, ka thënë Miliç.
Në të njëjtën kohë, Miliç i fajëson politikanët serbë në Beograd për fatkeqësinë e serbëve të Kosovës. “Ata vetëm flasin, flasin, flasin, flasin për të na mbrojtur neve,” ka thënë ajo për NYT, “por e gjithë çfarë ata bëjnë është të merren me interesat e tyre”.