Nga futbolli në politikë, Lila dhe Muça zyrtarizohen në listën e PD për deputetë!

Nga futbolli në politikë, është kjo historia e veçantë e Andi Lilës dhe Gentian Muçës të cilët do të jenë kandidatë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të përpiqen të shfrytëzojnë popullaritetin e tyre për të marrë sa më shumë vota. I pari është edhe president i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë dhe ende nuk ka varur këpucët në gozhdë edhe pse ka më shumë se 1 vit që nuk luan futboll ndërkohë që Gent Muça, ish-kapiteni i Tiranës është pjesë e Prishtinës në Ipko Superligën e Kosovës.

Të dy janë zyrtarizuar sot në votimet brenda Partisë Demokratike si kandidatë për deputetë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm e padyshim që do të mundohen të shfrytëzojnë famën që kanë marrë nga futbolli për të siguruar votat dhe praninë në Parlamentin shqiptar.

Situata e Lilës është paksa e çuditshme, pasi ai ende zyrtarisht nuk i ka dhënë ende lamtumirën futbollit, ndërsa mori edhe medalje kampioni me Tiranën ndonëse nuk zbriti asnjëherë në fushë me të në sezonin e fundit. Ajo që duket e çuditshme është fakti se Lila ka një angazhim me Sindikatën e Futbollistëve, të cilin nuk dihet nëse do ta lërë përgjysëm nëse zgjidhet si deputet nga votuesit në Kavajë, apo nëse do të bashkojë politikën me sportin, edhe pse kjo bie ndesh me parimet e kësaj sindikate që ka krijuar.

Kurse Muça, për momentin nuk është në kryeqyetet, ku figuron në listen e atyre që duhen zgjedhur. Ish-kapiteni i Tiranës është larguar drejt Kosovës, ku tashmë vesh ngjyrat e klubit të Prishtinës. Mbetet për t’u parë nëse Andi Lila dhe Gentian Muça do të fitojnë mandatin për deputetë dhe do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm të Republikës së Shqipërisë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme