Nga kush dhe si qeveriset SHBA

E mërkurë, 09 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Donald Trump është presidenti i 45-të i Amerikës i lindur më 14 qershor të vitit 1946, në Kuins të Nju Jorkut është një investor jashtëzakonisht i famshëm si dhe një miliarder i fuqishëm. Ai aktualisht ka nën kontroll disa biznese në qytet si dhe jashtë tij. Ai e nisi biznesin e tij me te atin i cili ia la atij në dore pasi ndihej shume i vjetër për të drejtuar një biznes. Ai zotëron biznese miliarda dollarësh në të gjithë botën. Një ndër më të famshmet janë “Trump Tower“.

Trump, disa herë, ka treguar mungesë të njohurive mbi çështjet e jashtme. Duke folur në një intervistë muajin e kaluar, ai nuk e ka ditur se Rusia ka aneksuar me forcë gadishullin ukrainas të Krimesë, transmeton. Vlera neto e pasurisë së Trumpit llogaritet midis 3 miliardë dhe 3.7 miliardë dollarë.

Ai ka diplomuar në Akademinë private Ushtarake të Nju Jorkut dhe në Universitetin Fordham në Bronks.

Trump ka pesë fëmijë nga tri martesa.

Duke premtuar se do ta bëjë Amerikën “të madhe përsëri”, me krijimin e më shumë vendeve të punës dhe me uljen e taksave, Trump nuk ka dhënë shumë detaje mbi çështjet dhe ka ndryshuar shpesh qëndrimet e tij.

Shtetet e Bashkuara sot janë federata më e vjetër e botës. Janë republikë kushtetuese, ku “sundimi i shumicës zbutet nga të drejtat e pakicës, mbrojtur prej ligjit.” Janë fundamentalisht të ndërtuara si demokraci përfaqësuese, ndonëse qytetarët amerikanë që banojnë në territore janë të përjashtuar nga votimet për zyrtarë federalë.

Qeveria rregullohet nga sistemi i ndarjes së pushteteve, “shqyrtimit dhe baraspeshimit” (checks and balances), siç përkufizohet nga Kushtetuta e SHBA-ve, që shërben si dokumenti suprem ligjor i vendit. Në sistemin federativ amerikan, qytetarët u nënshtrohet zakonisht tri niveleve të qeverisë, asaj federale, shtetërore dhe vendore; detyrat e qeverisë vendore zakonisht ndahen mes rretheve dhe qeverive bashkiake. Gati në të gjitha rastet, zyrtarët e ekzekutivit dhe legjislativit zgjidhen me të shumtën e votave (vota plurale) të qytetarëve në një zonë. Nuk ka përfaqësim përpjesëtimor në nivelin federal dhe shumë rrallë ndodhë të ketë në nivele më të ulëta. Zyrtarët e gjyqësorëve federal e shtetërorë dhe të kabineteve janë rëndom të emëruar nga dega ekzekutive dhe të aprovuar nga ligjvënësi, megjithëse disa gjykatës dhe zyrtarë shtetërorë zgjidhen me votë popullore.

Fasada jugore e Shtëpisë së Bardhë, godinës së banimit dhe punës së kryetarit amerikan

Qeveria federale përbëhet nga tri degë:

  • ligjvënëse: Kongresi dydhomësh, i përbërë nga Senati dhe Shtëpia e Përfaqësuesve, nxjerr ligje federale, shpall luftë, miraton traktate, ka pushtet mbi arkën shtetërore dhe të drejtën për impedikim, ecuri që mundëson heqjen nga detyra të zyrtarëve të qeverisë.
  • ekzekutivi: kryetari është kryekomandant i forcave të armatosura, mund të vejë veto mbi draftligje para se të bëhen ligje, si dhe emëron kabinetin dhe zyrtarët e tjerë, që administrojnë dhe zbatojnë ligjet dhe polikat federale.
  • gjyqësori: Gjykata Supreme dhe gjykatat më të ulëta federale, gjykatësit e të cilave caktohen nga kryetari me miratimin e Senatit, interpretojnë ligjet dhe shfuqizojnë ato që i vlerësojnë jokushtetuese.

Shtëpia e Përfaqësuesve ka 435 anëtarë, secili në përfaqësim të një zone kongresionale për kohëzgjatje dyvjeçare. Ulëset në Shtëpi u shpërndahen shteteve sipas popullsisë çdo dhjet vjet. Sipas regjistrimit të popullsisë më 2000, shtatë shtete kanë minimumin prej një përfaqësuesi, ndërsa Kalifornia, shteti më popullor, ka pesëdhjetetre. Senati ka 100 mise dhe secili shtet ka nga dy senatorë, të zgjedhur në zgjedhje njëzonëshe çdo gjashtë vjet; çdo dy vjet, një e treta e ulëseve të Senatit qiten për zgjedhje. Kryetari mban mandat katërvjeçar dhe nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë. Kryetari nuk zgjidhet drejtpërsëdrejti, por përmes një sistemi indirekt me kolegj zgjedhor, ku votat përcaktuese u shpërndahen shteteve. Gjykata Supreme, e drejtuar nga Kryegjykatësi i Shteteve të Bashkuara, ka nëntë pjesëtarë të përjetshëm. Qeveritë shtetërore janë të strukturuara në mënyrë të ngjashme; Nebraska është e vetmja që ka legjislaturë njëdhomëshe. Guvernatori, kreu i ekzekutivit, zgjidhet drejtpërsëdrejti në secilin shtet.

Krejt ligjet dhe procedurat e qeverive shtetërore dhe asaj federale i nënshtrohet rishikimit dhe akëcili ligj i pleqëruar nga gjyqësori se shkel Kushtetutën shpallet i pavlefshëm. Teksti origjinal i Kushtetutës specifikon strukturën dhe përgjegjësitë e qeverisë federale dhe marrëdhëniet e saj me shtetet veç-e-veç. Neni Një mbron të drejtën për urdhëresën gjyqësore të quajtur habeas corpus, kurse Neni Tre garanton të drejtën e gjykimin me porotë në të gjitha lëndët kriminale. Për ndryshimin e Kushtetutës nevojitet pëlqimi i tri të katërtave të shteteve. Kushtetuta përmban njëzeteshtatë amendamente; dhjetë të parat, që përbëjnë Kartën e të Drejtave, dhe Amendamenti i Katërmbëdhjetë përbëjnë bazën e të drejtave individuale të amerikanëve. / Sakte.net /

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme