Nga “për gjashtë muaj, te nuk ka kushte”: VLEN premtoi duke e ditur se s’ka në dorë asgjë për ndryshimet kushtetuese

Premtimi i VLEN-it për ndryshime kushtetuese brenda gjashtë muajve tashmë është kthyer në një nga rastet më të qarta të distancës mes asaj që koalicioni deklaronte para dhe pas ardhjes në pushtet. Dy vjet më vonë, ndryshimet kushtetuese jo vetëm që nuk janë miratuar, por vetë partnerët qeveritarë e kanë zhvendosur diskursin nga afatet dhe “përgjegjësia politike”, te mungesa e numrave, mungesa e garancive dhe nevoja për marrëveshje politike. Ndërkohë, Brukseli vazhdon të japë të njëjtin mesazh se pa ndryshimet kushtetuese nuk ka fillim formal të negociatave, raporton Portalb.mk.

Kur VLEN po hynte në Qeveri, mesazhi ishte i prerë, “ndryshimet kushtetuese do të zgjidheshin brenda gjashtë muajve”.

 

Në tetor 2024, atëherë ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, deklaronte se koalicioni VLEN kishte dhënë afat gjashtëmujor që Qeveria të dilte me propozim konkret për zgjidhjen e çështjes. Në atë kohë ai theksonte se ende nuk kishte arsye që afati të komentohej, pasi ishin vetëm në muajin e katërt. Por afati kaloi. Dhe bashkë me të ndryshoi edhe gjuha politike.

Në prill 2025, Murtezani pranoi se procesi do të ishte “më i ngadalshëm” se gjashtë muajt e premtuar. Në vend të realizimit të afatit, në diskursin e VLEN-it filluan të shfaqeshin arsyetimet për mungesë besimi, vështirësi në komunikimin me Bullgarinë dhe nevojën për një zgjidhje që do të garantonte rrugën evropiane. Pra, premtimi nuk u realizua.

Nga “do t’i bëjmë” te “nuk ka 80 vota”

Në qershor të këtij viti, kryetari i Kuvendit dhe një nga figurat kryesore të VLEN-it, Afrim Gashi, e formuloi çështjen ndryshe.

Sipas tij, ndryshimet kushtetuese do të ndodhin kur të sigurohen 80 deputetë. Madje, Gashi tha se partnerët shqiptarë mund edhe të dalin nga Qeveria, por kjo nuk do të ishte zgjidhje, sepse edhe jashtë Qeverisë përsëri do të duheshin numrat.

“Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin kur t’i kemi 80 deputetët”, deklaroi Gashi.

Kjo është në thelb e saktë në aspektin parlamentar, Kushtetuta kërkon shumicë prej dy të tretash. Por problemi qëndron diku tjetër. VLEN e ka ditur çështjen e numrave, e megjithatë premtoi se do ta zgjidhte problemin brenda gjashtë muajve.

Tani, pothuajse dy vjet pas hyrjes në pushtet, pyetja nuk është më kur do të realizohet premtimi, por “kur do të krijohen kushtet?”.

Në mars, Gashi tha se hapja e Kushtetutës është çështje e ndjeshme dhe se gjithçka varet nga marrëveshja mes partive politike. Sipas tij, dy të tretat e deputetëve duhet të bien dakord për hapjen e Kushtetutës.

Edhe këtu vërehet një zhvendosje, nga premtimi elektoral për ta shtyrë procesin përpara, te pranimi se procesi varet nga marrëveshja mes partive.

Mickoski: nuk i bëjmë ndryshimet “siç kërkon Bullgaria”

Ndërkohë, partneri më i madh i koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE, nuk e ka fshehur qëndrimin e vet.

Kryeministri Hristijan Mickoski në korrik deklaroi se ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin në formën që aktualisht kërkohet nga pala bullgare, por se bisedimet do të vazhdojnë.

Ai tha se është i gatshëm të bisedojë me këdo dhe kudo, por nuk pranoi të vendosë afat për këto bisedime. Sipas tij, synimi duhet të jetë një zgjidhje e qëndrueshme që e çon vendin drejt anëtarësimit në BE, e jo një zgjidhje e përkohshme që vetëm do të hapte procesin.

Mickoski e ka përsëritur këtë qëndrim edhe më herët. Në qershor tha se, përderisa është kryeministër, nuk do të mbështesë ndryshime kushtetuese pa garanci të qarta se pas tyre nuk do të ketë çështje të tjera bilaterale dhe identitare.

Në mars madje deklaroi se, nëse është e nevojshme, vendi mund të presë edhe dekada, por se ai nuk do të hyjë në atë që e konsideron “aventurë” pa një zgjidhje të parashikueshme.

Kjo është pika ku qëndrimi i VMRO-DPMNE-së bie ndesh me premtimin e VLEN-it.

VLEN premtoi afat. VMRO-DPMNE kërkon garanci.

VLEN thotë se pa 80 vota nuk ka ndryshime. VMRO-DPMNE thotë se pa garanci nuk ka vota.

Dhe kështu, procesi mbetet i ngrirë.

Brukseli ndërkohë nuk e ka ndryshuar kushtin dhe ia kujton vazhdimishtRMV-së

Problemi për narrativën qeveritare është se nga Brukseli mesazhi nuk ka ndryshuar.

Gjatë vizitës në Shkup në qershor, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, ishte i drejtpërdrejtë: miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet mënyra e vetme për fillimin formal të negociatave me BE-në. Ai u bëri thirrje institucioneve të vendit për dialog konstruktiv dhe zgjidhje me fqinjët.

Edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos përsëriti se Maqedonia e Veriut e ka vendin e saj në BE, por miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet ende kusht i domosdoshëm për hapin e ardhshëm në procesin e anëtarësimit.

“Reformat, të cilat do të kontribuojnë në një ekonomi më të zhvilluar dhe në një standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët, janë në thelb të procesit të anëtarësimit. Po shënohet përparim inkurajues dhe duam të përshëndesim angazhimin e shtuar të Qeverisë në zbatimin e reformave. Por, miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet hapi i domosdoshëm për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit. E inkurajoj Qeverinë që të nisë procesin i cili do të çojë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese”, theksoi komisionerja Kos.

Pra, në njërën anë kemi Qeverinë që kërkon garanci se pas ndryshimeve nuk do të ketë kërkesa të tjera. Në anën tjetër, kemi BE-në që thotë se ndryshimet kushtetuese janë parakusht për fillimin formal të negociatave.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme