Reagimi i Islamit në Facebook:
Që nga arrestimi i të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, kanë qarkulluar versione të ndryshme.
Megjithatë, një gjë tashmë është e qartë: aktiviteti i tij operativ dhe analitik, i nisur që nga koha kur ishte pjesë e ish-UDB-së, nuk ka rreshtur asnjëherë.
Një profesionist i rryer dhe i kalibrit të lartë në fushën e spiunazhit nuk shkëputet lehtë nga betimi për të ruajtur sekretet dhe për t’i shërbyer një rrjeti të caktuar.
Depërtimi i tij në institucionet më të larta nuk është i rastësishëm; kamuflimi përmes miqësive me figura të larta shtetërore, paraqitja në shumicën e mediave për tema të ndieshme , dëshmon qartë synimin e tij për të fituar besim dhe për të shmangur dyshimet.
Dokumenti “Top Secret 2” në lexim të aktakuzës zbulon një plan strategjik të fshehtë. Ky program synon zgjerimin e radikalizmit islamik në Kosovë e rajon, duke implikuar figura me ndikim nga sporti, muzika, mediat dhe politika. Bazuar në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, duke e paraqitur atë si një vatër ekstremizmi dhe duke dëmtuar rëndë pozitën e saj ndërkombëtare. Përmes nxitjes së aktiviteteve fetare dhe ndikimit te klerikët, synohet krijimi i një narrative negative, stimulimi i migrimit dhe ndryshimi i qëndrimit të vendeve perëndimore ndaj Kosovës.
Përveç kësaj, ky plan shtrihet edhe në spiunazhin ekonomik dhe diskreditimin e figurave politike e intelektuale. Agjendat e Serbisë janë të njohura: qëllimi i saj mbetet goditja e Kosovës në shumë dimensione, krijimi i një opinioni publik negativ dhe zbehja e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve vendase.
Zbardhja e dokumenteve sekrete dëshmojnë se institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës. Ky rast duhet të shërbejë si një mesazh i qartë dhe i prerë për të gjithë: askush nuk mund të fshihet pas miqësive apo pozicioneve të larta.
Kushdo që merr guximin të punojë kundër Republikës së Kosovës, kushdo që bëhet pjesë e agjendave destabilizuese të Serbisë apo rrjeteve të spiunazhit, do të ketë të njëjtin fat. Prokuroria Speciale, nën udhëheqjen e prokurorëve profesionistë si Bekim Kodraliu, në sinkronizim dhe kordinim të plotë me AKI-në dhe Policinë e Kosovës, do të shkatërrojë çdo rrjet tradhtie.
Koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar; secili që punon kundër shtetit tonë do ta marrë dënimin e merituar dhe do të përfundojë në burg !