Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinë kundër 3 të pandehurve, të akuzuar për veprën penale të “krimit të organizuar lidhur me veprën penale trafikimi i armeve”.
Rasti është realizuar me bashkëpunimin të ngushte dhe shume të suksesshëm të organeve të ligjit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Të pandehurit A.K., M.D. dhe D.P. duke vepruar si grup i organizuar kriminal në krye me A.V., kundër të cilit procedura penale po zhvillohet në SHBA, e kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë, në atë mënyrë që gjatë muajit prill dhe maj 2017 në territorin e SHBA-ve, agjenti i policisë Amerikane nga DEA (Drug Enforcement Administration), nën mbulim, e ka lidhë marrëveshjen me A.V., për blerjen e 15 copë armë automatike kinse për luftën e narko-karteleve në Meksike dhe për këtë ia ka dhënë të hollat të pandehurit A.V. Pastaj, përmes të pandehurve e ka organizuar dorëzimin e armeve në Kosovë, ashtu që të pandehurit A.K., M.D. dhe D.P. ia kanë dorëzuar armët oficerit policor të Policisë së Kosovës nën mbulim, i cili ka qenë duke zbatuar masat e fshehta të blerjes se simuluar.
Më 27 qershor 2017, me një aksion të koordinuar mes policisë e prokurorisë së Kosovës dhe të SHBA–ve, të gjithë të pandehurit janë arrestuar në flagrancë, në territoret e të dy shteteve.