Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave , për dy vepra të ndryshme penale.
Sipas kësaj Prokurorie këta persona kanë kryer veprën penale “ blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, pos kësaj ata kanë kryer edhe veprën penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare”.
“Me datën 14.12.2018, të akuzuarit B.I., E.M., dhe I.A., në bashkëveprim, pa autorizim importojnë substanca psikotrope ose analoge, ku me automjet kanë shkuar ne vendin e quajtur Suk, fshati Manz-Durrës, tek shtëpia e njërit nga të pandehurit, duke e marrë një qese najlon ngjyrë të bardhë me të cilën kishte narkotik të llojit marihuanë, rreth 539 gr, me qëllim të trafikimit në Republikën e Kosovës”.
“Me datën 15.12.2018, të pandehurit B.I., dhe I.A., në territorin e Republikës së Kosovës, në vijën kufitare në Republikën e Shqipërisë, pikërisht në Qafë Prushe, duke anashkaluar vendkalimin e autorizuar kufitare, në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, ku të njëjtit pasi janë hasur nga policia janë arrestuar”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga kjo Prokurori.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që të pandehurit të dënohen sipas ligjit për veprat penale që iu vihen në barrë.