Nikoliq ripërsërit: Bashkë me djemtë e mi jam gati të luftoj në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i deklaroi të përditshmes së Beogradit, “Kurir”, se është i gatshëm të lë postin e presidentit nëse Serbia, në rast të vrasjes së serbëve në Kosovë, nuk ua kthen shqiptarëve, transmeton Koha.net.

Ai i ka quajtur mashtrim reagimet e zyrtarëve europianë ndaj deklaratave të tij, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare.

“BE është dashur të reagojë kur tash shpejt u minua hekurudha dhe kur nuk u lejua të qarkullojë treni serb. E po nëse Johannes Hahn thotë se unë nuk po shikoj të ardhmen dhe se e ardhmja e Serbisë është Kosova e pavarur atëherë s’kemi për ëka të flasim. Atëherë ai është mashtrim për të gjitha kohët dhe ajo që bën BE-ja është mashtrim”, citon kjo gazetë Nikoliqin.

Në konstatimin se deklaratat e tij kanë shqetësuar njerëzit, presidenti i Serbisë ka thënë se njerëzit janë shqetësuar në Kosovë kur kanë parë pjesëtarët e ROSU.

“A është ajo pjesë e Serbisë? Po, e pra të gjithë jemi të shqetësuar”, është shprehur Nikoliq dhe ka shtuar:

“Ne nuk po vringëllojmë armët por në atë rrafsh dalim nëse do të jetë në rrezik populli serb në Kosovë e Metohi. Dhe, po, kam thënë se edhe unë, nëse do të ketë nevojë, do të shkoj në luftë, madje edhe djemtë e mi”.

Serbia, është shprehur ai, “e mbron veten në Kosovë e Metohi” dhe në këtë pikë ekziston një pajtim i plotë i Qeverisë dhe presidentit.

“Ndërsa ajo që kam thënë se do të çojmë ushtrinë, janë konkluzionet e Këshillit për Siguri Kombëtare”, ka thënë Nikoliq.

Ai ka thënë se djali i tij, Radomiri, ka shkuar në ushtri pesë ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-së më 1999.

Nikoliq ka thënë se sipas Rezolutës së KB 1244, është i mundur kthimi i 1000 ushtarëve serbë në Kosovë.

“Por Qeveria e Serbisë këtë asnjëherë nuk e ka kërkuar, ndërkohë të gjithë përfaqësuesit e lartë kanë punuar për pavarësi. Kjo është atuja jonë në të gjitha negociatat me shqiptarët pse ROSU nuk mund të vijë në veri të Kosovës, meqë jemi marrë vesh që as ne të mos kërkojmë që ushtria jonë të vijë atje”, ka thënë ai.

I pyetur nëse bëhet fjalë për marrëveshje me shkrim a gojore, përcjell Koha.net, Nikoliq është përgjigjur: “S’ka këtu gojor a me shkrim, ato marrëveshje respektohen”.

“Jemi marrë vesh që ROSU nuk mund të vijë, meqë kemi premtuar se nuk do të kërkojmë që ushtria jonë të vijë. Ne kemi premtuar gojarisht, kurse për ROSU kemi nënshkruar marrëveshje…” është shprehur ai.

Duke komentuar, siç i ka cilësuar kjo gazetë, provokimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, i cili ka thënë se serbët në Kosovë do të mund të shkojnë në të ardhmën vetëm si turistë, Nikoliq tha se “janë të njohura pretendimet e Shqipërisë në Kosovë e Metohi, Mal të Zi, Greqi e Maqedoni”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme